Del raporti për incidentin me Osmanin/ Agjencia maqedonase e Aviacionit Civil: Ekipi i sigurisë veproi në mënyrë profesionale

9 Gusht 2024, 14:07Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Është publikuar raporti i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut, lidhur me incidentin e presidentes  së Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.

Në raport shkruhet se Inspektorët kanë bërë një inspektim fillestar, ku është konstatuar se shërbimet e aeroportit kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat ndërkombëtare në këtë incident.

Sipas të gjeturave, presidentja e Kosovës kishte refuzuar kontrollet edhe në vitin 2022 dhe 2023.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”, thotë raporti ndër të tjera.

Inspektorët kanë theksuar më tej se: “Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre”.

Incidenti i një jave më parë në aeroportin e Shkupit ka sjellë reagime të ashpra të Presidentes së Kosovës, e cila ka thënë se ekipi i sigurisë së aeroportit ka shkelur standardet ndërkombëtare kur kanë tentuar t’i marrin me forcë celularin.

Video