Ish-kreu i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë për rolin e tij në një skemë të paligjshme që kishte për qëllim të ndihmonte oligarkun e sanksionuar rus Oleg Deripaska.
McGonigal u deklarua fajtor në gjykatën federale për akuzën e komplotit duke shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave (IEEPA) dhe pastrim parash, si rrjedhojë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të arritur me prokurorët nga Zyra e Prokurorit të SHBA për Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Ish-zyrtari i rangut të FBI-së u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në janar dhe u akuzua në dy raste të ndryshme në Nju Jork dhe Uashington, DC, mbi dyshimet se kishte punuar me oligarkun rus të sanksionuar Oleg Deripaska dhe për fshehjen e qindra mijëra dollarëve që kishte marrë nga një ish-punonjës i agjencisë së inteligjencës shqiptare.
Ai ka thënë se kishte dijeni që informacioni që kishte mbledhur për një rival rus të Deripaskës në biznes, do të përdorej për ta futur atë në listën e të sanksionuarve nga SHBA.
Avokati i McGonigal, Seth DuCharme, i tregoi një gjykatësi federal në Uashington se ata mund të zgjidhin çështjen e lidhur me Shqipërinë deri në fund të muajit.
Këtë të martë McGonigal iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me skemën e paligjshme me Deripaskën përpara se gjyqtarja e qarkut Jennifer Rearden të pranonte dekarimin e tij si të fajshëm. Duke shqyrtuar kompetencën e tij mendore para seancës, McGonigal tha:
"Mendja është e qartë. Ndihem shkëlqyer".
55-vjeçari McGonigal tha se është "thellësisht i penduar" për veprimet e tij.
“Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi”, tha ai, duke u shfaqur emocional.
"Kam rënë dakord me një palë tjetër për të mbledhur informacion nënçmues me burim të hapur për një oligark rus të quajtur Vladimir Potanin i cili ishte një konkurrent biznesi i Oleg Deripaskës," tha ai.
“E dija se Deripaska ishte vendosur në listën e sanksioneve nga qeveria amerikane. Unë e kuptoja se informacioni që mblodha në fund do të përdorej për ta futur Potanin në listën e sanksioneve të SHBA-së", tha McGonigal.
“E kuptova që puna që bëra do t'i jepte njëfarë përfitimi Deripaska-s dhe sipas ligjit të SHBA-së, nuk duhej t'i ofroja asnjë shërbim Deripaskës, qoftë edhe indirekt,” vazhdoi ai.
McGonigal tani mund të përballet me një dënim maksimal prej pesë vjetësh për akuzën që ai u deklarua fajtor të martën, tha Rearden në gjykatë.
Ai është caktuar të dënohet më 14 dhjetor.
Avokatët e tij treguan se do t'i kërkojnë gjykatësit të marrë në konsideratë një ofertë të klasifikuar informacioni në lidhje me punën e McGonigal për qeverinë amerikane përpara se të shqiptojë dënimin e tij.