Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu ka thënë sot se mundësia e ushtrisë ukrainase për të luftuar është "pothuajse e rraskapitur", teksa ka vlerësuar armët e prodhimit rus.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Moskë, ku i pranishëm ishte edhe ministri kinez i mbrojtjes, Li Shangfu, Shoigu tha se lufta ishte një test serioz për Rusinë.
"Gjatë operacionit special ushtarak, Rusia ka hedhur poshtë mitin e superioritetit të standardeve ushtarake perëndimore", tha ai.
"Rezultatet paraprake të operacioneve luftarake tregojnë se burimet ushtarake të Ukrainës janë pothuajse të shteruara", tha Shoigu, një nga aleatët më të fuqishëm të presidentit Vladimir Putin.
Shoigu tha se do të ndajë detaje rreth dobësive të armëve perëndimore dhe se asnjë nuk ishte i paprekshëm.
"Ne kemi të dhëna për ... Shkatërrimin e tankeve gjermane, makinave të blinduara amerikane, raketave britanike dhe sistemeve të tjera të armëve", tha ai. "Ne jemi gati të ndajmë vlerësimet tona ... Me partnerët tanë", shtoi Shoigu.
Megjithatë lufta në terren nxjerr të tjera fakte. Rusia është duke përdorur në Ukrainë një numër të madh të armatimeve sovjetike që i përkasin rezervave të Luftës së Dytë Botërore, si dhe ka humbur tanke T-80, deri te modeli më modern ai T-90.
Gjithashtu disa raportime theksojnë se raketat moderne ruse Kinzhal, të cilat pretendohet se janë supersonike dhe të paprekshme, janë rrëzuar nga sistemet raketore amerikane "Patriot" në Kiev.