“Bomba do shpërthejë pas 10 minutash”, sekretari i Kuvendit të Kosovës zbulon mesazhin e rremë kërcënues: Ishte shkruar në anglisht

5 Korrik 2025, 15:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës

Pas një hetimi të autoriteteve, ka rezultuar se alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, ishte i rremë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, deklaroi për mediat se alarmi ishte i rremë. Dyshohet se ky mesazh të ketë ardhur nga një person, i gjinisë mashkull, nga një vend jo mike e Kosovës, sipas Gashit.

Sakaq, nuk bëhet me dije se nga cili vend dyshohet se mund të ketë ardhur kërcënimi.

Ndërsa sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka bërë të ditur përmbajtjen e mesazhit kërcënues që u dërgua sot në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, ai nuk zbuloi se kujt i është dërguar mesazhi, duke thënë se këto informata i ka policia.

“Njoftimin neve si administratë na ka dhënë policia për t’i liruar hapësirat, ndërsa njoftimet e tjera, policia i ka të dhënat, ne nuk i kemi të dhënat. Nuk mund të konfirmoj apo mohoj diçka që nuk e dimë saktë kush është njoftuar”.

Loshi tha se mesazhi ishte i shkruar në gjuhën angleze dhe se aty u tha se një bombë është e vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe se ajo do të shpërthejë brenda 10 minutave.

“Sipas njoftimit që është dhënë nga policia në sallën plenare kur është kërkuar evakuimi i menjëhershëm, është kërkuar që të bëhet evakuimi për shkak se në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë se një bombë është vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe e njëjta do të shpërthejë në interval kohor pas 10 minutave”, tha Loshi.

Gjithashtu, Loshi njoftoi se vazhdimi i seancës së sotme është shtyrë për në orën 20:00.

Video