
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, në një fjalim televiziv deklaroi se lufta kundër Iranit do të vazhdojë pa kompromis dhe se Izraeli ka një “plan të organizuar me shumë surpriza” për fazën e ardhshme, me synim destabilizimin e regjimit iranian.
Ai iu drejtua Gardës Revolucionare duke paralajmëruar se janë në shënjestër: “Kush dorëzon armët nuk do të pësojë dëm, kush jo, do të mbajë përgjegjësinë”.
Netanjahu i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë popullit iranian, duke thënë se “momenti i së vërtetës po afrohet” dhe se Izraeli nuk synon ndarjen e Iranit, por “çlirimin” e tij. Sipas tij, ndryshimi varet nga vetë iranianët dhe do të sillte paqe mes dy vendeve.
Në fjalimin e tij, ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen dhe për “udhëheqjen historike” në marrëdhëniet SHBA–Izrael, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Netanjahu kritikoi ashpër liderët perëndimorë dhe OKB-në për “dobësinë” dhe “heshtjen” ndaj dhunës së regjimit iranian, duke i akuzuar se kanë braktisur popullin iranian. Ai shtoi se shumë vende tashmë po i drejtohen Izraelit për bashkëpunim, duke e cilësuar vendin si “fener force dhe shprese”.
Kryeministri izraelit paralajmëroi gjithashtu qeverinë e Libanit se është përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2024 dhe çarmatosjen e Hezbollahut. Nëse kjo nuk ndodh, Libani do të përballet me pasoja të rënda.
Netanjahu përfundoi duke theksuar se Izraeli do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur qytetet dhe qytetarët e tij.