Një kuzhinier rus, i cili ka jetuar në Francë për 14 vjet, është arrestuar me dyshimin se ka komplotuar me një fuqi të huaj për të organizuar akte "destabilizimi" në shkallë të gjerë gjatë Lojërave Olimpike në Paris.
40-vjeçari u arrestua gjatë një bastisjeje në banesën e tij në qendër të Parisit të dielën, ku thuhet se u gjet një dokument i lidhur me një njësi elitare të forcave speciale ruse që vepronte nën komandën e FSB-së.
Një hetim gjyqësor është hapur mbi akuzat për ndarjen e "inteligjencës me një fuqi të huaj me qëllim provokimin e armiqësive në Francë", një krim i dënueshëm me 30 vjet burgim. Komploti i dyshuar nuk besohet të ketë qenë i lidhur me terrorizmin.
Mbi personin, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është ngritur tashmë akuzë dhe ndodhet në paraburgim.
Ceremonia ambicioze e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024 do të organizohet në brigjet e lumit Sena të premten në mbrëmje dhe prej kohësh ekziston shqetësimi se Rusia mund të kërkojë të ndërhyjë në këtë event.
Prokurorët në Paris thanë se kontrolli i banesës së shtetasit rus ishte kryer me kërkesë të Ministrisë së Brendshme franceze.
Sipas njoftimeve të dhëna për mediat franceze, agjentët gjetën prova që sugjeronin se burri po përgatiste një "projekt në shkallë të gjerë" që mund të kishte pasur pasoja "serioze" gjatë tre javëve të lojërave.
Gazeta franceze, Le Monde, raportoi se shërbimet e inteligjencës kishin përgjuar një telefonatë dy muaj më parë midis individit dhe një punonjësi të shërbimeve të inteligjencës ruse, në të cilën i dyshuari kishte deklaruar se “francezët do të kenë një ceremoni hapjeje siç nuk ka pasur kurrë më parë”.
Nuk janë dhënë detaje në lidhje me natyrën e komplotit të supozuar për të destabilizuar lojërat.
Gazeta raportoi se i arrestuari ishte trajnuar si kuzhinier në Paris dhe se ai kishte marrë pjesë në reality show rus dhe shfaqje gatimi. Ai e kishte përshkruar veten në CV-në e tij si një "kuzhinier privat".
Ai mbërriti për herë të parë në Francë në vitin 2010 dhe kaloi ca kohë në Courchevel, një vendpushim skish i njohur për elitën ruse, ku punoi në një restorant me yll Michelin, përpara se të nisej për në Paris në 2012.
Sipas emaileve që datojnë nga shtatori 2012, të para nga Le Monde, i dyshuari i kishte thënë pronares së tij, të quajtur nga gazeta si Viviane, se ai po kthehej në Moskë për të punuar si zyrtar në qeverinë ruse. Por ai mori pjesë në një ditë trajnimi civil, një hap i detyrueshëm integrimi në Francë, në prill 2013.
Shërbimet e inteligjencës e kishin gjurmuar për muaj të tërë. Ata përgjuan një telefonatë me shefin e tij në maj, në një kohë kur ai po kthehej nga një udhëtim në Stamboll në shtëpinë e tij në Paris.
Ai humbi fluturimin e tij për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit dhe në vend të kësaj u kthye nëpërmjet Bullgarisë, në të cilën pikë u monitorua biseda rreth ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, sipas Le Monde.
Në orën 6 të mëngjesit të së dielës, oficerët e policisë nga brigada elitare e kërkimit dhe ndërhyrjes (BRI), të thirrur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Brendshme, bastisën shtëpinë e të dyshuarit në Rue Saint-Denis në bregun e djathtë të Senës. Pretendohet se policia ka gjetur “dokumente me interes diplomatik” në shtëpinë e tij.
Muajin e kaluar Microsoft tha se Rusia po kërkonte të minonte Olimpiadën me krijimin e faqeve të rreme të internetit që imitonin media autentike franceze dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të nxitur shqetësimin për dhunën dhe terrorizmin.
Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin, tha këtë javë se autoritetet kishin ekzaminuar mbi një milion njerëz përpara lojërave.
"Ne jemi këtu për të siguruar që sporti të mos përdoret për spiunazh, sulme kibernetike ose për të kritikuar dhe ndonjëherë edhe për të gënjyer për Francën dhe francezët," tha Darmanin.