
Grupet specialiste po krehin zonën ku u rrëzua avioni ushtarak i prodhimit ukrainas.
Avioni u rrëzua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:45 në Kavalla Greqi, me pasojë vdekjen e 8 personave të ekuipazhit që ndodheshin në bord.
Avioni me katër motorë po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.
Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviç konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.
Stefanoviç tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera.
Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.
Ndërkohë ajri në zonë është bërë toksik, me autoritetet vendase që kanë rekomanduar banorët e zonë të mbajnë maska dhe të qendrojnë brenda shtëpive, pa hapur dyer e dritare.
Gjithashtu në orët në vijim pritet të njoftohet nëse fshati ku ra avioni do të evakuohet ose jo.
Protothema.gr raporton se një kompani speciale ushtarake po niset nga Athina për të marrë pjesë në hetime.
Kjo është kompania speciale e mbrojtjes kimike biologjike bërthamore nëndegë e GEETHA 14 anëtarësh, personeli i së cilës do të hetojnë zonën ku ndodhi aksidenti.
Për momentin, deri në mbërritjen e ekipit special të Forcave të Armatosura, askush nuk mund të hyjë në zonën e bllokuar në një rreze prej të paktën 500 metrash.
Shërbimi Zjarrfikës raporton se rreth avionit ka një ngarkesë të lartë pirotermale.
Njëkohësisht, që nga rënia e shtyllave të tensionit të lartë, përveç problemit të krijuar në furnizimin me energji elektrike, problem ka edhe furnizimi me ujë të zonës më të gjerë, pasi stacionet e pompimit nuk furnizohen me energji elektrike.
Restaurimi i dëmit, megjithatë, nuk mund të bëhet shpejt, sepse ekipet e DEDDIE nuk mund t’i afrohen zonës derisa ekipi special të vendosë që zona është e sigurt.