
Izraeli e ka ndryshuar fokusin ushtarak, nga Gaza drejt Iranit, duke e bërë këtë të fundit zonën kryesore të operacioneve ushtarake, ndërsa sulmet ajrore ndaj territorit iranian janë intensifikuar.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, gjatë 24 orëve të fundit janë goditur rreth 150 objektiva brenda Iranit nga avionët luftarakë izraelitë.
Ushtria njoftoi se ka krijuar një “rrugë të sigurt” drejt Teheranit dhe tani operon lirshëm në hapësirën ajrore iraniane.
Ky ndryshim prioriteti synon të shpejtojë lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Aktualisht, Izraeli thotë se në Gaza kanë mbetur 54 pengje, prej të cilëve 20 besohet të jenë ende gjallë.
Ndërkohë, mbi 10 mijë palestinezë mbahen në burgjet izraelite në kushte të vështira, me raportime për tortura dhe keqtrajtim.
Forcat izraelite po përgatiten gjithashtu për një përballje të mundshme me Hezbollahun, megjithëse ky grup nuk është mobilizuar ende.
Më herët, shefi i shtabit të Izraelit, Eyal Zamir, dhe komandanti i forcave ajrore, Tomer Bar, njoftuan se “rruga drejt Iranit është hapur” dhe paralajmëruan sulme të reja ndaj Teheranit.
Izraeli ka goditur objektet bërthamore dhe raketore të Iranit, ku u vranë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Irani iu përgjigj me sulme raketore dhe me dronë ndaj Izraelit.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmet izraelite kanë shkaktuar të paktën 78 viktima dhe mbi 320 të plagosur, ndërsa sulmet vazhduan edhe gjatë ditës së dytë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një mesazh video se “në të ardhmen e afërt do të shihni aeroplanë të Forcave Ajrore Izraelite që fluturojnë mbi Teheran: ne do të godasim çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të Ajatollahëve”.
“Qëllimi ynë është të ndalojmë kërcënimin e dyfishtë të Iranit për shkatërrimin e Shtetit të Izraelit: si raketat bërthamore ashtu edhe ato balistike. Ajo që ata (Ajatollahët) kanë parë deri më tani nuk është asgjë në krahasim me atë që do të dëgjojnë në ditët në vijim”, tha Benjamin Netanyahu në një mesazh video.
“Dëgjoj dikë që thotë se nuk kemi arritur rezultate, gjë që është e rreme. Sigurisht që kemi arritur rezultate. Ne e kemi goditur fort vendin e pasurimit të uraniumit dhe nëse është e nevojshme do të kthehemi atje, do të godasim uzinën strategjike për të aktivizuar bombat bërthamore, do të shënjestrojmë grupin e shkencëtarëve që po kryenin këto projekte. Kjo e kthen Iranin shumë vite prapa në energjinë bërthamore. Tani ka gjëra të tjera për të bërë që nuk mund t’i them”, shtoi ai.