A do të bëjë histori Amerika me ‘zotërinë e parë’ Doug Emhoff?

31 Tetor 2024, 19:53Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doug Emhoff dhe Kamala Harris

Nëse kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, bën histori në nëntor duke u zgjedhur gruaja e parë presidente e Amerikës, bashkëshorti i saj Doug Emhoff do të bëhej 'zotëria i parë' i vendit, pasi kaloi, për herë të parë në historinë amerikane, gati katër vite si 'zotëria i dytë' i vendit.

Doug Emhoff ka kaluar pothuajse katër vite duke qenë mbështetësi më i madh i bashkëshortes së tij.

“Të dua shumë. Jam shumë krenar që po e bën këtë për të gjithë ne”, tha zoti Emhoff.

Është një rol që ish-juristi i industrisë së argëtimit pret të vazhdojë ta luajë nëse Kamala Harris zgjidhet presidente dhe nëse zoti Emhoff bën histori duke u bërë bashkëshorti i parë i një presidenteje në detyrë.

“Do të kem përqasje të ngjashme. Ku mund të jem më i dobishëm për të si burri i saj? Ta mbështes, ta dua si gjithmonë dhe të jem aty për të, por gjithashtu si mund ta ndihmoj atë si presidente, të ndihmoj administratën, të ndihmoj popullin amerikan, duke qenë i pari, dhe cilat çështje mund të mbështes?”, tha zoti Emhoff.

Zoti Emhoff u martua me zonjën Harris në vitin 2014 pasi u njohën për herë të parë në një takim. Ndërsa roli politik i gruas së tij vazhdoi të rritej, zoti Emhoff mori përsipër publikisht rolin e bashkëshortit mbështetës.

“Ai e ka bërë të qartë, se nuk do të ishte mbi këtë rol mbështetës dhe se nuk do të donte që askush të mendonte se vetëm për shkak se është burrë, nuk mund ta bëj këtë rol zëvendësues dhe ndihmës',” thotë studiuesja Kelly Dittmar, nga Universiteti Rutgers.

Zoti Emhoff hoqi dorë nga puna e tij në firmën ligjore dhe filloi të jepte mësim në Universitetin Georgetown kur zonja Harris u bë nënpresidente. Ai thotë se bashkëshortja e tij e shtyu që ta bënte të tijin rolin e zotërisë së dytë.

“Duke qenë burri i parë që e bën këtë, le të flasim për çështjet gjinore. Kam folur shumë për barazinë gjinore, barazinë e pagave, lejen familjare, kujdesin ndaj fëmijëve”, tha zoti Emhoff.

Në Shtetet e Bashkuara, bashkëshortët e figurave politike në nivelin më të lartë kanë qenë gjithmonë gra. Por zoti Emhoff ka treguar se mund të përshtatet mirë, thotë Anita McBride nga Universiteti Amerikan.

“Ai flet për jetën e tyre familjare. E thotë që përpara se, ‘Unë jam këtu për të shërbyer. Puna ime më e rëndësishme është këtu, për të mbështetur nënpresidenten”, thotë studiuesja McBride.

Në rolin e zotërisë së dytë, Doug Emhoff, i cili është hebre, ka udhëhequr gjithashtu një nismë për antisemitizmin në administratën e Presidentit Biden.

Zonjat e para tradicionalisht përqendrohen në aktivitetet sociale, si mbikëqyrja e darkave shtetërore dhe miratimi i dekorimeve të festave të Shtëpisë së Bardhë.

"Bëhet fjalë për ushqimin, lulet dhe qelqurinat. A do të jetë kjo diçka që ai dëshiron ta bëjë? Ndoshta po, ndoshta jo", thotë studiuesja McBride.

Si president i Organizatës së Bashkëshortëve të Senatit, zoti Emhoff ka treguar tashmë një gatishmëri për ta vazhduar traditën.

“Ka disa dreka, ka aktivitete në rezidencën e nënpresidentes, kështu që thjesht u sigurova që të marr pjesë në ato ngjarje tradicionale dhe, si zotëria i parë, ka disa tradita që do t’i ruaj me besnikëri”, tha zoti Emhoff.

Zonjat e para zakonisht ia dhurojnë Muzeut Smithsonian në Uashington fustanet që veshin në ceremoninë e inaugurimit. Mbetet për t’u parë nëse koleksionit do t'i shtohet së shpejti një kostum burrash. /VOA

Video