KLGJ kërkon 84 gjyqtarë shtesë: I kemi dosjet stok

2 November 2026, 20:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

KLGJ kërkon 84 gjyqtarë shtesë: I kemi dosjet stok

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar rritje të numrit të gjyqtarëve në vend për të ndihmuar në uljen e stokut të dosjeve stok.

Nga 417 gjyqtarë që janë në organikë, edhe pse efektivisht në punë janë 309 toga të zeza për shkak të vakancave, KLGJ propozon një numër të përgjithshëm 528 gjyqtarë, të shpërndarë në të përhershëm, rezervë dhe të përkohshëm.

KLGJ propozon që organikës kombëtare t’i shtohen 84 gjyqtarë të përhershëm, që do të shpërndahen në gjykatat e shkallëve të para dhe ato të apelit.

Numrin më të madh pritet ta marrë shkalla e parë e gjyqësorit, me 64 gjyqtarë me vëmendje të posaçme në juridiksionin e përgjithshëm në Tiranë dhe Gjykatat Administrave, që shtohen me nga 18 gjyqtarë, shkruan Shqiptarja.

“44 prej tyre të shkojnë për juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Për juridiksionin administrativ propozohet shtimi me 18 vende, ku 16 i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet shtimi me 2 vende”, thuhet në dokument.

Gjykatave të Apelit sipas planit i shtohen 20 vende të total, 6 prej tyre të shkojnë për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, 12 për Gjykatën Administrative të Apelit dhe 2 për shkallën e dytë të GJKKO-së.

Por KLGJ ka edhe një plan për organikë rezërve. Përveç 84 vendeve të përhershme operacionale, propozohet edhe krijimi i 18 vendeve të tjera të përhershme të rezervës funksionale. Këta gjyqtarë do të jenë të emëruar dhe të gatshëm që të kompensojnë vakancat që mbeten në sistem, kur gjyqtarët angazhohen për periudha të gjata në institucione të tjera, siç janë për shembull rastet e anëtarëve të KLGJ, Gjykatës Kushtetuese apo institucione të tjera. Kjo do të ndihmonte që gjykata e origjinës të mos mbetej me vende bosh.

Me realizimin e këtyre dy shtesave, numri i vendeve të përhershme të gjyqtarëve parashikohet të rritet nga 417 në 519, ndërsa për një periudhë vetëm 9 vjeçare parashikohet edhe një shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, që të përballet me numrin e madh të dosjeve të prapambetura.

“Studimi evidenton nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë”, thuhet në dokumentin që propozon projektvendimin.

Përveç shtimit ndjeshëm të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në vend, KLGJ ka edhe një propozim konkret për rritje të administratës gjyqësore që do t’i shërbente. 

“Propozohet një minimum planifikimi prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, studimi thekson se shtimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike të nevojshme për funksionimin efektiv të gjykatave. Për këtë qëllim, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh”, thuhet në dokument.


Video