
Ish-deputetja socialiste Ermelinda Meksi, ka raguar pas letrës së Erion Veliajt, që akuzon kryeministrin Edi Rama për shantazh.
Sipas saj, kur këtë ia bëjnë Veliajt, imagjino se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë.
Reagimi i Meksit
Institucionet ne prove
Letra e Erion Veliajt dhe përgënjeshtrimi i ministrit Gogu përbëjnë një ngjarje shumë më të rëndë sesa një konflikt mes dy ish-miqsh apo një përplasje brenda Partisë Socialiste.
Nëse pretendimet e Erion Veliajt vërtetohen, kemi të bëjmë me një precedent tejet shqetësues: përdorimin e autoritetit dhe të instrumenteve të shtetit për të ushtruar presion politik mbi një person në paraburgim.
Mohimi i ministrit nuk mjafton. Ai duhet të shoqërohet me fakte dhe transparencë. Një ministër nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë institucionale me një deklaratë mohuese.
Në çfarë cilësie shkoi ministri në burg? Si u zhvillua dhe ku u dokumentua vizita dhe kush ishte në dijeni të saj?
Këto nuk janë pyetje që mund të mbeten pa përgjigje. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të verifikojnë çdo pretendim, të bëjnë publike faktet dhe të identifikojnë përgjegjësitë. Heshtja institucionale apo një përgënjeshtrim formal nuk janë llogaridhënie.
Kjo ngjarje kërkon adresimin e përgjegjësive në tri nivele:
- Ministri i Drejtësisë të sqarojë plotësisht rrethanat dhe ligjshmërinë e vizitës.
- Kryeministri të garantojë se pushteti ekzekutiv nuk është përdorur për presion apo pazare politike.
- Institucionet e drejtësisë të verifikojnë pretendimet në mënyrë të pavarur dhe të garantojnë ligjshmërinë e procesit dhe respektimin e të drejtave të individit.
Këtu nuk mbrohet aspak Veliaj nga përgjegjësia për akuzat ndaj tij, të cilat duhet të hetohen dhe të gjykohen nga drejtësia. Bëhet fjalë për mbrojtjen e parimeve mbi të cilat funksionon një shtet demokratik: të drejtat e njeriut nuk varen nga simpatitë politike dhe as nga fakti nëse je i fuqishëm apo qytetar i zakonshëm.
Nëse kjo i ndodh një kryetari bashkie, me çfarë garancish mbrohet qytetari i zakonshëm?
Shteti nuk është pronë e askujt, drejtësia nuk është instrument i pushtetit dhe liria e dinjiteti i individit nuk mund të bëhen objekt pazaresh politike.
Kjo është çështje e shtetit, e institucioneve dhe e demokracisë sonë.