
Drejtoria Rajonale e Kadastrës së Vlorës ka tashmë një drejtues të ri, pas problematikave të njëpasnjëshme në të kaluarën, ku ndryshimet e shpeshta në kupolë kanë sjellë një amulli në institucion. Disa ish drejtorë janë marrë të pandehur, të tjerë nën hetim, ndërkohë që me emërimin e titullarit të ri, synohet kalimi nga juristët te personat praktikë, inxhinierë.
Burime nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës i thanë Vox News se është larguar drejtori ASHK Vlorë, Albion Koçi, dhe në vend të tij është emëruar Andi Muhametaj. Ky i fundit ka qenë drejtor në ASHK-në Qendrore, në drejtorin e zonat e stimuluara, teksa vlerësimet për “punë korrekte” kanë sjellë promovimin, në një post tepër delikat siç është Kadastra e Vlorës.
Duket se, arsyeja e kësaj lëvizje vjen pas skandaleve të reja me pronat në qarkun e Vlorës, mbivendosjeve të shumta dhe mos gjetjes së një zgjidhje. Nëse deri dje drejtorët juristë kanë vepruar duke regjistruar çdo copë letër, drejtori i ri apo stafi i tij, do të ketë synimin që këto copa letre të mos kenë mbivendosje, duke bërë matje në terren e duke i dhënë çdokujt atë që i takon.
Aktualisht, ASHK-ja qendrore ka nisur grupe nga Tirana për të bërë matje në zonën bregdetare, duke shkuar derë më derë, ndërkohë që të dhënat e përfituara do të hidhen më pas në harta. Pikërisht ky do të jetë synimi i drejtorit Muhametaj, i cili është një nga inxhinierët më të mirë në ASHK, për mos të lënë asnjë vend për interpretime apo keq interpretime.
Deri më tani, drejtorët e mëparshëm kanë vepruar në mënyrën më të keqe, ku influencat apo grupet e interesit i kanë përlyer për të regjistruar çdo centimetër katrorë, madje edhe nga dy herë. Zonat ranore janë bërë private, bregu i detit, lumit apo përroit kanë pronar. Tashmë, drejtori Muhametaj ka synimin për të rimatur çdo pronë me probleme.