Shembja e Unazës së Burrelit 1.3 mln euro pa përgjegjës - ARRSH shpall fituesit për ta riparuar, skualifikon firmën që e ndërtoi!  

11 Gusht 2026, 14:38Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto montazh - Vox News

Kompania që ndërtoi Unazën e Burrelit, një vepër që kushtoi 1.3 milionë euro, por që u shemb ende pa u marrë në dorëzim dhe pa u kolauduar, tentoi që të merrte sërish një shumë rreth 955 mijë euro për ta riparuar. Bëhet fjalë për kompaninë Ulza shpk, e cila në vend që duhet të ishte hetuar dhe t’a riparonte vetë të gjithë atë segment, donte të merrte edhe shumën e akorduar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, në datën 10 gusht 2026, ARRSH-ja ka shpallur fituesit e tenderit për masat inxhinierike për Unazën e Burrelit, një procedurë tepër e dyshimtë, duke qenë se u shpenzua sërish një shumë e madhe parash për ta bërë të kalueshme, kur në fakt për këtë shkatërrim, personat përgjegjës, qoftë shtetëror apo privatë, duhet të ishin të paktën nën hetim, apo me masë sigurie.

Fitues i procedurës në fjalë doli një bashkim operatorësh, të cilët kanë edhe 2 firma të tjera mbështetëse, teksa një nga ofertat më të ulta në atë procedurë ishte ajo e firmës Ulza shpk, por kësaj herë drejtuesit e ARRSH-së nuk donin të rrezikonin, duke nxjerrë një justifikim për ta skualifikuar nga gara.

Në fakt, këtë vendimmarrje duhet ta kishin marrë me procedurën e parë dhe jo të bëjnë sikur s’e kanë parë, teksa përgjegjësia duhet të ndahej te personat që e projektuan, ata që e miratuan projektin dhe normalisht, ata që e ndërtuan dhe brenda një kohe të shkurtër u shkatërrua jo në 1 po në plot 6 vende të ndryshme.

Shembja e Unazës së Burrelit 1.3 mln euro pa përgjegjës -
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit nga ARRSH për masat inxhinierike për Unazën e Burrelit

Në datën 10 gusht 2026, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim në APP për fituesin e tenderit në fjalë, ku atë unaza do t’a rindërtojnë kompanitë “2 N”  & “ARDMIR”, të cilat kanë si subjekte mbështetëse ““ARENA MK” dhe “SELAMI”. Këto firma kanë fituar procedurën e hapur disa javë më parë, me objekt “emergjencë, masa inxhinierike Unaza Burrel” me një fond limit prej 90 milionë lekësh, teksa afati për zbatimin e saj është 6 muaj e 10 ditë.

Çuditërisht, në këtë tender ka marrë pjesë kompania “ULZA”, e cila ishte ndërtuese e rrugës që u shemb. Kjo kompani ofroi 87 milionë lekë, ndërkohë që fituesit “2 N” dhe “Ardmir” ofruan edhe ata rreyh 87 milionë lekë. Ofertë bëri edhe kompania “RSM Construction”, e cila ofroi 62.5 miionë lekë.

Shembja e Unazës së Burrelit 1.3 mln euro pa përgjegjës -
Faksimile: Njoftimi i ARRSH për skualifikimin nga tenderi të kompanisë Ulza dhe RSM

Oferta më e ulët ishte ajo e RSM-së, e cila u skualifikua me arsyetimin se ishte anomalisht e ulët. Më pas u skualifikua edhe firma “Ulza” pasi nuk përmbushte kriterin që për këto punime duhet të ishte edhe stafin mbështetës. “Ulza për përmbushjen e këtij kriteri është mbështetur në operatorë të tjerë ekonomike të cilët nuk plotësojnë të gjithë elementët e përcaktuar. Në çdo rast, operatori ekonomik ofertues që dëshiron të mbështetet në kapacitetet e subjekteve të tjera, duhet të provojë se plotëson të paktën 50% të kërkesave të përcaktuara nga autoriteti ose enti kontraktor” thuhet në dokumente. Një tjetër arsye e skualifikimit të kompanisë Ulza ishte për shkak se nuk disponon mjetet dhe pajisjet e kryerjes së këtyre punëve.


Shembja e Unazës së Burrelit në plot 6 vende, ende pa u inauguruar dhe pa u marrë në dorëzim

Një nga rrugët e shumta që u shemb ishte edhe Unaza e Burrelit, një investim për të lehtësuar kalimin e mjeteve, kryesisht të rënda, për të evituar qendrën e qytetit. Prej shumë muajsh, Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit është jashtë funksionit, pasi ka pësuar 6 shembje, ku dy prej tyre kanë dëmtuar gjithë trupin e karrexhatës. Më problematike paraqitet në anën perëndimore të saj, ku të paktën në dy vende e gjithë traseja është dëmtuar rëndë duke bërë që në të të mos kalojë asnjë lloj automjeti.

Pjesa më e madhe e banorëve e kanë të pamundur të shkojnë me automjete tek shtëpitë e tyre, ndërsa shembja e rrugës vazhdon, ka vënë në rrezik edhe banesat. Rikonstruksioni total i Unazës së Poshtme të qytetit të Burrelit ishte financim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, me vlerë 128 milion lekë të reja, i nisur dy vite e gjysmë më parë. Projekti po zbatohej nga kompania “ULZA” sh.p.k, me pronar ndërtuesin Ndue Shpani, e cila vetëm në Mat ka fituar projekte për rikonstruksionin e katër shkollave si dhe projektin “Parku Tematik” në Bulqizë.

Unaza e Burrelit është aktualisht e pa aksesueshme, edhe pse punimet për rikonstruksionin e kësaj unaze nisën dhe përfunduan vitin e kaluar. Unaza nuk u vendos në funksion të plotë për shkak të nisjes së dëmtimit nga reshjet e shirave në Tetor të vitit 2025. Objekti mbeti i pakolauduar dhe i pa marrë në dorëzim. Rruga ka qenë vazhdimisht problematike përsa i përket shembjeve, ku që prej vitit 2010 ishte thuajse e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video