Firma koncesionare Dia Vita, në pronësi indirekte të Klodjan Allajbeut, i cili drejton edhe rrjetin e Spitalit Amerikan në Shqipëri, ka regjistruar një humbje në shifrën e 132 mijë eurove në vitin e fundit të kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë. Për pak javë, i gjithë procesi i hemodializës në disa spitale rajonalë në Shqipëri, do ti kalojë shtetit, pas një koncesioni 10 vjeçar aspak i dobishëm për pacientët dhe me shumë parregullsi, duke qenë se nuk mbulonte të gjithë popullatën, por në disa qarqe dhe ata me probleme të rënda nuk i trajtonte.
Megjithëse firma koncesionare në këtë dekadë ka marrë rreth 90 milionë euro, sërish firma private ka regjistruar humbje, ndoshta duke përdorur një skemë të mirëfilltë për të mos kryer investime në 4 vitet e fundit të kontratës, pasi këto investime do t’i mbeteshin vetë shtetit. Raportet e ndryshme të institucioneve që duhet t’a kontrollonin këtë kontratë kanë nxjerrë parregullsi, pagesa të dyfishta nga shteti dhe mungesë investimi, ndërkohë që në letrat që vetë firma ka paraqitur në Qendrën Kombëtare të Biznesit në fund të muajit korrik 2026, rezulton se kemi rritje të pagave dhe amortizim të pajisjeve dhe aparaturave që përdor.
Jo vetëm që s’kemi investime, por shteti shqiptar do të trashëgojë një sistem të kalbur, të vjedhur dhe të shkatërruar të të gjithë hemodializës, duke rritur sërish kostot për një shërbim i cili duhet të kryhet nga vetë shteti, pasi ka kapacitete njerëzore dhe strukturale për të operuar. Këto janë ato koncesionet famëkeqe të para 10 viteve, lavdia e të cilave vetëm në deklarata publike dhe në letra shkruhet, pasi në terren situata është tepër e vështirë, njësoj me sterilizimin, kontrollin bazë të popullatës, apo edhe kontrata të tjera.




Sipas dokumenteve që disponon redaksia e Vox News, kompania Dia Vita ka paraqitur në QKB raportin vjetor të bilancit, ku shkruan se ka; “miratuar e mbulimin e humbjes të vitit 2025 në shumën 12,350,525 lekë nga fitimet e pashpërndara të periudhave të mëparshme”.
Kjo shumë shkon në plot 132 mijë euro, ndërkohë që koha e bërjes së këtij bilanci përkon me muajt e fundit të afatit, pasi për pak javë i gjithë procesi do t’i kalojë shtetit. Kompania është themeluar në vitin 2015 me një kapital rreth 10 mijë euro, ndërkohë që aktualisht ka një seli në shtetin suedez, teksa ka fituar shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonalë në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Në dokumentet që ka hulumtuar Vox News rezulton se gjatë vitit 2025 kompania Dia Vita ka vijuar aktivitetin ekonomik duke realizuar të ardhura nga aktiviteti kryesor në vlerën 937 milionë lekë, ose rreth 9.5 milionë euro, ku kjo shumë është shtuar nga viti paraardhës, i cili ka qenë në kufirin e 900 milionë lekëve.
“Pavarësisht rritjes së të ardhurave, rezultati financiar i vitit 2025 është përkeqësuar. Shoqëria ka rezultuar me humbje neto prej 12 350 525 lekë, ndërsa në vitin 2024 kishte realizuar fitim neto prej 5 553 805 lekë. Në aspektin e pozicionit financiar, totali i aktiveve në fund të vitit 2025 është 564 milionë lekë krahasuar me 633 milionë lekë në vitin 2024, duke reflektuar ulje prej rreth 10.9 %”, thuhet në dokumente.

Vox News vijoi të shfletojë dokumente të tjera ku rezulton se ka pasur disa shpenzime për lëndë të parë dhe materiale të konsumueshme, të cilat përkojnë edhe me rritjen kryesore. “Shpenzimet e personelit, përfshirë pagat dhe sigurimet shoqërore/shëndetësore, kanë arritur në 167 milionë lekë, krahasuar me 154 milionë lekë në vitin 2024, me rritje rreth 8.2%. Zhvlerësimi i aktiveve afatgjata materiale është rritur në 81 milionë lekë nga 69 milionë që ka qenë në 2024” thotë kompania.
Vetë firma koncesionare e pranon se ecuria e vitit 2025 karakterizohet nga rritje e moderuar e të ardhurave, por me presion të shtuar nga kostot kryesore operacionale. “Rritja e shpenzimeve për materiale, personel dhe zhvlerësim ka tejkaluar efektin pozitiv të rritjes së të ardhurave, duke sjellë rezultat negativ për periudhën”, thuhet në dokumente.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016