Skandali me rrugën Qafa e Buallit–Martanesh, Ami Kozeli hap tender të ri 11 milionë euro për të “mbuluar” Evis Berberin!

4 Gusht 2026, 22:27Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rruga Qafa e Buallit–Martanesh dhe Ami Kozeli (majtas lart)

Një tjetër skandal me ndërtimin e rrugëve po gatuhet në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ku drejtori i ri Ami Kozeli ka hapur një super tender për të përfunduar një rrugë të nisur që në kohën e Evis Berberit, ku në fakt i gjithë segmenti duhet të kishte përfunduar.

Bëhet fjalë për segmentin nga Qafa e Buallit deri në Martanesh, ku në vitin 2023, ARRSH-ja e drejtuar nga Berberi dhe me “bekimin” e ministres Belinda Balluku, e cila ia kishte premtuar banorëve të zonës, duke qenë se babai i saj kishte jetuar dhe punuar në minierat e Krastës gjatë diktaturës, bëri procedurat me vlerë 10 milionë euro për sistemimin dhe asfaltimin.

Sipas dokumenteve të tenderit të atëhershëm, i gjithë segmenti duhet të kishte përfunduar në vjeshtën e vitit 2025, sipas edhe afateve kontraktuale, por që në terren situata është sërish një rrugë e pa sistemuar dhe asfaltuar, teksa në atë kantier ka kohë që nuk punohet, me justifikime nga më të ndryshmet.

Skandali me rrugën Qafa e Buallit–Martanesh, Ami Kozeli hap tender
Faksimile: Tenderi që ka parashikuar ARRSH-ja për Qafa e Buallit – Martanesh, me vlerë 11 milionë euro

Ndërkohë, ditët e fundit, vetë ARRSH-ja e Kozelit, ka hapur një supër procedurë, kësaj herë për të “mbuluar” dyshen Berberi – Balluku, të dy të pandehur, i pari po hetohet me masën e sigurisë arrest me burg dhe e dyta me masën e sigurisë detyrim paraqitje, duke qenë se Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për ta arrestuar.

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, ARRSH do të hapë në ditët në vijim tenderin me objekt “plotësim i punimeve rruga Qafa e Buallit – Martanesh”. Një skandal më vete, duke qenë se bëhet fjalë për “plotësim të punimeve”, kur këto punime duhet të kishin përfunduar dhe i gjithë segmenti të asfaltohej.

Tenderët e rrugëve, sidomos ato të Verdhos, Berberit dhe Gjylit, nuk përfundojnë kurrë, aq më tepër që vijojnë të “hanë” miliona euro, ndërsa nuk dihet nëse edhe për këtë segment do të ketë një hetim se ku avulluan 10 milionë eurot e akorduara në vitin 2023 që po plotësohen me tenderin e ri.

Për “plotësimin e punimeve”, ARRSH ka akorduar një fond limit prej 1,040,728,000 lekë, ose nëse do t’a konvertojmë në euro, shuma shkon në plot 11.1 milionë euro, shumë herë më tepër se tenderi i parë. Ky është një nga rastet më flagrante të abuzimit me rrugët, pasi ARRSH ka akorduar më mbi 100 % të fondit limit të parë, duke thyer edhe “rekorde” për rrugët e Unazës së Madhe apo ato që po bëhen në Elbasan apo për Tiranë – Durrës.

Skandali me rrugën Qafa e Buallit–Martanesh, Ami Kozeli hap tender
Faksimile: Tenderi i ARRSH i vitit 2023 për ndërtimin e segmentit Qafa e Buallit – Martanesh, me afat kohor 18 muaj

Vox News shfletoi edhe dokumentet e tenderit të vitit 2023, ku në dhjetor të atij viti ARRSH-ja finalizoi procedurën “sistemim, asfaltim rruga Qafa e Buallit -Martanesh”, me fond limit 1,086,171,104 lekë. Me kursin e atëhershëm, shuma e shpenzuar shkonte në 10.2 milionë euro, ndërkohë që afati për zbatimin e saj ishte vetëm 18 muaj.

Në tender morën pjesë një mori firmash, nga ato të mëdhatë, teksa Salillari ofroi 803 milionë lekë, “BE – IS” & Vëllezërit Hysa & Ergi” ofruan 947 milionë lekë, ndërkohë që kishte edhe oferta të tjera. Fitues doli BOE e dytë, Be-Is me Vëllezërit Hysa dhe Ergi, duke skualifikuar ofertën e kompanisë Salillari, megjithëse kishte ofruar rreth 1.4 milionë euro më pak.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video