Paratë në këtë vendin tonë nuk mjaftojnë asnjëherë, gjithmonë kur bëhet fjalë për ndërtime, infrastrukturë apo godina shërbimi. Shtetarët fusin disa herë duart në buxhetin e shtetit vetëm për një shërbim, fillimisht duke e projektuar, më pas ndërtuar, mbikëqyrur e më vonë me shtesa fondesh. Por, pavarësisht se kontratat modifikohen me kalimin e kohës, kur vlera shumëfishohet, sërish ato para’ nuk mjaftojnë.
Një rast tipik është ndërtimi i godinës së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, e projektuar vite më parë, e tenderuar në vitin 2023 dhe kur duhej të kishte përfunduar dhe administrata të vijonte punën, vetë kjo drejtori bën një modifikim kontrate. Afatet shtyhen sërish, ndërkohë që vetë shteti fut sërish dorën në buxhet, duke e “shpërblyer” firmën private me një shumë të konsiderueshme.
Por, a nuk duhet ta kishte përfunduar dhe nëse kishte shkelje në afate apo në zbatimin e kontratës, a duhej të ishte penalizuar? Në një vend tjetër po, por jo në Shqipëri, ku dihen si bëhen tenderat, lidhja mes zyrtarëve dhe pronarëve të firmës, etj. Koha e ka treguar se pjesa më e madhe e procedurave me shumë zero kanë probleme të mëdha, qoftë administrative apo penale.

Por, të shpenzosh fillimisht 7.8 milionë euro dhe këto para’ të mos dalin, vetëm këtu në Shqipëri mund të ndodhë. Jo vetëm kaq, por këto institucione që bën tenderin arrijnë që të modifikojnë kontratën, duke i shtuar edhe një shumë prej 1.5 milionë euro!
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka shpallur në APP një tjetër procedurë, kësaj herë me objekt “modifikim kontrate për objektin ‘ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)”.
Bëhet fjalë për objektin multifunksional në interes publik, për Shërbimet Qendrore të Transportit Rrugor. Shuma shtesë që do të shpenzojë shteti shqiptar është 142,338,642 lekë, ose rreth 1.5 milionë euro.


Në vitin 2023, DPSHTRR lidhi kontratën me firmën fituese të tenderit, Hastoçi, e cila nuk ishte oferta më e ulët në atë procedurë. Fondi i ndërtimit të godinës shkoi në plot 7.8 milionë euro. Dhe nëse do ta mbledhësh me shtesën e fondit, shuma shkon në lot 9.3 milionë euro!


Sipas dokumenteve të lejes së ndërtimit, sipërfaqja totale e godinës, me 5 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë, është 6385 m2. Nëse do të bëjmë një llogaritje të thjeshtë, shumën totale dhe metrat katrorë që do ndërtohen, rezulton se firma fituese Hastoçi po paguhet me 1450 euro për të ndërtuar 1 m2.
Natyrisht, vlera është shumë e lartë, kur bëhet fjalë vetëm për ndërtimin, por që me shtesat e gjithçka tjetër, ky shteti jonë duket se nuk kursen aspak te godinat publike!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016