Kryeministri Edi Rama është “hakmarrë” ndaj Elvis Rroshit, ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i larguar nga ajo detyrë për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë kriminale, ndërkohë që pasi la karrigen e pushtetit, familja e tij ka ngritur një perandori biznesi.
Bare, restorante, hotele, pallate e madje edhe agrobiznese janë ndërtuar nga familja Rroshi, teksa rezulton se në emrin e Elvisit alias Ervin, apo familjarëve të tij, të jenë marrë edhe para nga IBPARD-i, për ndërtime serash.
Influenca e kësaj familje në atë qytet është e madhe, pasi kontrollojnë biznese në Golëm, Qerret dhe në qytetin e Kavajës, ndërkohë që “tentakulat” e kësaj familje janë shtrirë edhe në Tiranë e Durrës.
Muajt e fundit, ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, nëpërmjet djalit të xhaxhait dhe një ish punonjësi shtetëror në atë qytet, i arrestuar për abuzime me detyrën, ka tentuar që të marrë një tjetër leje ndërtimi.
Vox News ka analizuar dhjetëra dokumente, nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, gjithashtu edhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku duket mjaft qartë lidhja mes Elvis Rroshit, Daniel Rroshit (djali i xhaxhait) dhe Altin Copës, ish drejtor i ALUIZNI-t në Kavajë, i arrestuar disa vite më parë për tjetërsimin e pronave.
Këta persona kanë tentuar që të merrnin një leje për pallat në Kavajë, por duket se zhvillimet e kohëve të fundit, ku vetë Elvis alias Ervin Rroshi është thirrur në SPAK, kanë bërë që kërkesa t’u refuzohet.

Firma në dokumentin e KKTU-së për ti refuzuar lejen ka ardhur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka pasur në tryezë të gjithë informacionin se kush ishin pronarët dhe çfarë lidhje kishin me PS-në apo edhe me pushtetin.
Ka dyshime se vetë kryeministri Edi Rama të jetë “hakmarrë” ndaj Elvis Rroshit, pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare ai punoi për një kandidat nga lista e Partisë Demokratike.
Rezultati në Kavajë nuk ishte ai që priste PS-ja, pasi në zgjedhjet lokale humbi bashkinë, ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare, në atë rreth, sërish PD-ja ishte me një grusht votash para PS-së. Këto zhvillime kanë sjellë pakënaqësi nga vetë Rama apo të deleguarit e mazhorancës, të cilët kanë vendosur që të ndryshojnë qasjen ndaj atyre që kanë punuar kundër, një prej të cilëve edhe familja Rroshi.
Në datën 24 prill 2026, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, kryeministri ka firmosur dokumentin e refuzimit të lejes së zhvillimit për objekt hoteleri 3, 5 dhe 11 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntonë me vendndodhje në Bashkinë e Kavajës. Firma që kërkonte të ndërtonte hotelin 11 katësh është “Vizion Turizëm 2023”, ndërkohë që vendimi hyri në fuqi menjëherë, duke detyruar firmën t’i drejtohej Gjykatës Administrative.

Vox News hulumtoi edhe dokumente të tjera ku rezulton se ortakët e kësaj kompanie janë Daniel Rroshi, djali i xhaxhait të Elvis alias Ervin Rroshit, dhe Altin Çopa. Të dy ortakët njihen si njerëzit më besnikë të ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, të cilët janë dora e djathtë e tij, madje edhe prestanomet për marrjen e lejeve apo me biznese të tjera.
Duke qenë një subjekt i ligjit Antimafie, OFL-së e tashmë edhe të SPAK-ut, Elvis Rroshi është kujdesur që pasurinë e tij t’a shpërndajë te familjarët dhe besnikët e tij, duke krijuar një skemë të mirëfilltë, ku në krye të saj është ai vetë.
Vox News ka mësuar se Danieli dhe Altini kanë edhe disa firma të tjera, ndërkohë që kanë qenë ortak me disa shtetas nga Kosova, të akuzuar për trafiqe të paligjshme.
Njëri prej ortakëve, Altin Çopa nuk është i panjohur edhe për drejtësinë shqiptare, pasi ai rezulton i arrestuar për tjetërsimin e pronave në Spille, në kohën kur ka qenë drejtor i ALUIZNI-t.
Fillimisht, kompania që do merrte lejen për hotel 11 katësh ka qenë në pronësi të Daniel Rroshit dhe në vitin 2024, Danieli ka shitur 50 % të aksioneve Altin Çopës për vetëm 50 mijë lekë.
Më pas, ata kanë tentuar që të marrin lejen, ndërkohë që KKTU-ja ka pasur dyshime edhe mbi statusin e pronës që ata do të zhvillonin.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016