Ligjërisht bastet janë legalizuar që prej 1 prillit, por ushtrimi i këtij aktiviteti pa licencë është i paligjshëm.
Dy muaj pasi ligji hyri në fuqi, Komisioni i posaçëm i ngritur për dhënien e licencave nuk është ngritur ende.
Arsyet e vonesës nuk lidhen më shumë me mungesën e ofertave se sa me lobimin e fortë që po bëhet për emrat që do të jenë pjesë e këtij komisioni, pasi sipas ligjit, pesë nga shtatë anëtarët e tij mund të jenë persona që nuk kanë lidhje me administratën publike.
Në pjatë janë 10 licenca për industrinë që mund të gjenerojë deri në 200 milionë euro në vit. Vlerësimi dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nga komisioni i licencave që ligjin parashikon të ngrihet pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Problemi është se ky komision nuk është plotësuar ende me anëtarët e tij. Për dy emërime, që ligji parashikon të jenë pjesë e administratës shtetërore, përkatësisht nga Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe Agjencia e Shooqërisë së Informacionit përzgjedhja e emrave është më e thjesht.
Burime të Voxnews.al pohojnë se procesi ka ngecur te pesë emërimet e ministrive, përkatësisht të Ministrisë së Brendshme, financave, asaj të ekonomisë, ministrisë së çështjeve sociale dhe asaj të drejtësisë.
Arsyeja lidhet me parashikimet ligjore që u mundësojnë këtyre ministrive të përzgjedhin anëtarë nga jashtë administratës. Burimet pohojnë se ka një lobim të ethshëm të grupeve të interesit, ku një pjesë e emrave të propozuar si anëtarë dyshohet se janë edhe sponsorizime të botës së krimit, që e sheh sektorin si një mundësi të artë, jo vetëm për të bërë biznes fitimprurës, por edhe për të pastruar paratë e siguruara nga aktivitetet e paligjshme.
Përzgjedhja e anëtarëve, siç pohojnë burimet, parashikohet që të realizohet brenda muajit qershor. Aktualisht, Qeveria ka përcaktuar masën e pagesës për çdo mbledhje të këtij komisioni, ku sipas vendimit të 22 majit, 35 mijë lekë do të përfitojë kryetari dhe 30 mijë lekë anëtarët.
Ligji pësoi disa ndryshime të minutës së fundit, ku u hoq parashikimi që kryetari i takonte Ministrisë së Financave dhe u caktua përzgjedhja e tij me votim të fshehtë të shumicës së anëtarëve të komisionit. Ndryshimi, siç pohuan burimet në atë kohë, ishin pasojë e lobimit të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla me qëllim marrjen në dorë të të gjithë procesit të dhënies së licencave.
Oferta e bollshme për t’u licencuar
Burime të Voxnews.al pohojnë se për të marrë licenca për ushtrimin e basteve interesimi është i lartë. Të paktën tre kompani janë ndërkombëtare, serioze dhe të njohura në Europë dhe botë për ushtrimin me sukses të këtij aktiviteti ndër vite.
Por, thonë burimet, nuk mungojnë as oferta e dyshimta. Njëra prej tyre është depozituar nga një kompani e regjistruar në Qipron turke, pas të cilës dyshohet se qëndron shtetasi turk, Veysel Sahin.
Kush është Veysel Sahin?
Për shqiptarët është një emër i panjohur, për turqit jo.
Në vitin 2017, autoritetet turke ndërmorën një operacion masiv kundër basteve të paligjshme në Stamboll, Qipron Veriore, në Izmir dhe Bodrum.
17 persona përfunduan në pranga në atë kohë, përfshirë këtu edhe Sahin, ndërsa mbi 200 persona të tjerë u morën nën akuzë.
Sahin u akuzua si kreu i organizatës së basteve të paligjshme që ushtroheshin edhe online.
Veç këtij aktiviteti, grupi dyshohet se ka pastruar në ndërtim dhe resorte miliona euro të ardhura qoftë nga bastet, qoftë edhe para të dyshuara me burim trafikun e drogës.
Burimet thonë se në Shqipëri, Veysel Sahin po tenton të hyjë përmes kompanive guackë në bashkëpunim me biznesmenë dhe persona të tretë, shtetas shqiptarë.
Si u ndryshua ligji në minutat e fundit
Ligji i miratuar më 15 shkurt përsoi disa ndryshime thelbësore sa i takon se kush do ta japë licencën.
Në variantin fillestar ligji parashikonte ngritjen e një komisioni prej shtatë anëtarësh pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Anëtarët propozoheshin nga Ministria e Financave, nga Ministria e Ekonomisë, ministria e çështjeve sociale, ajo e drejtësisë, një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe një tjetër nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.
Projektligji pësoi dy ndryshime të minutës së fundit. Së pari, hoqi nga komisioni i licencave ministrinë përgjegjëse për sportet dhe futi në këtë komision Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla dhe së dyti, hoqi nenin që caktonte automatikisht kryetar të komisionit përfaqësuesin e Ministrisë së Financave dhe vendos caktimin e kryetarit me votim të fshehtë të shumicës së anëtarëve të komisionit.
Ligji vendos gjithashtu një standard të dyfishtë sa u takon emërimit të anëtarëve të komisioneve.
Në pikën e tretë të nenit 17/1 të tij, ligji thotë se ministrat kanë të drejtë që të emërojnë në këtë komision persona që nuk ushtrojnë funksione publike.
Kjo do të thotë se pesë nga shtatë anëtarë të komisionit mund të emërohen persona nga jashtë Qeverisë, duke lënë një hapësirë për caktimin në këto poste të personave që mund të lobojnë e votojnë për një kompani të caktuar.
Ligji nuk e bën këtë përjashtim për përfaqësuesit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Neni duket i kopsitur dhe është shtuar në ligj me mundësinë që ndonjë nga pesë ministrat që do të emërojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision ka gati emrin dhe tashmë bëri edhe ligjin.
Burime të Voxnews.al pohojnë se të treja ndryshimet në fjalë janë nxitur nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla me qëllim kontrollin e licencave që do të jepen në kuadër të këtij ligji.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.