Përplasjet me diktatorin dhe miqësia me nacionalistin Hysni Lepenica, vulgariteti i emisarit jugosllav Dushan Mugosha dhe përpjekja e tij për të eliminuar grupin e të rinjve. Detaje të pathëna të historisë, në momentin kur hidheshin themelet e diktaturës në Shqipëri
“Sadik Premtja, trockisti i fundit” është libri i historianit Marenglen Kasmi, nga shtëpia botuese “Naimi”, një studim që sjell detaje të rëndësishme të kohës së parë të themelimit të Partisë Komuniste, grupit të të rinjve dhe përplasjeve të pashmangshme me diktatorin Enver Hoxha.
Përtej etiketimeve ideologjike, historia e Sadik Premtes është ajo e një përplasjeje mes idealizmit dhe pushtetit, mes parimeve dhe dhunës, në kohën kur komunizmi po formësonte diktaturën në Shqipëri. Në fillim të viteve ’40, kur grupet e të rinjve të së majtës në Shqipëri po përpiqeshin të krijonin një parti moderne, debat ishte edhe për dhunën, vrasjen a duhej përdorur apo jo ndaj kundërshtarit dhe “armiqve” të lëvizjes. Sadik Premtja, që vinte nga një zonë me shumë rëndësi si Lumi i Vlorës, mbante qëndrime në kundërshtim me vijën që impononin emisarët jugosllavë. Kur faktori serb ndërhynte në çdo hallkë të formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, përplasja nuk ishte më vetëm ideologjike.
Studimi i Kasmit hedh dritë mbi fakte e dokumente të pazbuluara më parë, ndër të cilat edhe për emisarët jugosllavë si Dushan Mugosha, që identifikohej si “krahu i klasës punëtore i pashkolluar”. Siç e përshkruajnë dokumentet e kohës, njihej për vulgaritetin e gjuhës dhe për urrejtjen ndaj “të rinjve me arsim” që e shihnin komunizmin si projekt emancipues. Në krahun tjetër, Miladin Popoviç, më i kulturuar, fliste frëngjisht me të rinjtë që themeluan Partinë Komuniste, por ndikimi i tij mbeti sërish politikisht orientues: Shqipëria duhej të ndiqte modelin e Beogradit.
Në këtë përplasje me emisarët jugosllavë dhe me diktatorin, Sadik Premtja gjen mbështetje të fuqishme dhe domethënëse në Vlorë, atje ku ai kishte krijuar një bërthamë komuniste që përfshinte edhe figura me frymë nacionaliste. Dokumentet e zbuluara nga autori Kasmi flasin për një miqësi të fortë mes Sadik Premtajt dhe liderit nacionalist Hysni Lepenica, i cili do të bëhet mbështetje e fortë për Premtjan në kohën kur rrezikohej nga komunistët e tij. Premtja shkruan se “Hysni Lepenica kishte qenë pjesë e celulave komuniste”.
Studimi na rrëfen se në lumin e Vlorës, komunistët dhe nacionalistët bashkëjetuan për një kohë të shkurtër, të bashkuar nga ideali i çlirimit dhe nga respekti i ndërsjellë. Ishte ndoshta periudha e vetme ku e majta shqiptare kishte ende shpirtin e debatit dhe jo të nënshtrimit.
Përplasja e parë e Sadik Premtajt me Enver Hoxhën erdhi në momentin kur Sadik Premtja u shpreh kundër vrasjeve politike dhe kërkoi që partia të mos kthehej në instrument eliminimesh. Enveri, tashmë i mbështetur nga Mugosha dhe Popoviç, e shpalli “armik të klasës”, duke e përjashtuar dhe më vonë duke asgjësuar grupin e tij. Studimi tregon se fundi i trockistëve shqiptarë ishte i paracaktuar. Por ndryshe nga shumë të tjerë, Sadik Premtja vdiq si komunist, pa braktisur bindjen se një e majtë ndryshe, humane dhe e drejtë, ishte e mundur.
Studiuesi Marenglen Kasmi flet për figurat e së majtës shqiptare në një shekull duke nisur nga Noli e deri tek “trockistët” e kohës sonë.
Në tranzicionin e pas ’90-s, fjala “trockist” rikthehet si metaforë për ata që refuzojnë kompromiset me pushtetin. Por ndryshe nga koha e Sadik Premtes, sot trockistët e rinj nuk përndiqen me pushkë, por me margjinalizim, përjashtim dhe heshtje.
Historia, në një mënyrë ironike, duket se po përsëritet.
Ndiqni intervistën e historianit Marenglen Kasmi për TemA.