
Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, disa nga ish-drejtuesit e lartë të administratës e shtetit komunist të paraviteve 1990 filluan të shfaqen si kundërshtarë të kahershëm të atij regjimi, të cilit në fakt i kishin shërbyer me devotshmëri. Disa prej tyre bënë karrierë politike duke drejtuar vendin, disa të tjerë, “më të pafat”, u shndërruan në personazhe publike, duke shkruar e rrëfyer për “bëmat e tyre kundër regjimit”. Njëri prej tyre është edhe Qemal Lame, i cili deri në vitin 1983, kur hetuesia ishte ende në strukturën e Ministrisë së Brendshme, ishte drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë dhe më pas, kur Hetuesia e Përgjithshme veproi si organ më vete, prej vitit 1983-1992, ishte Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë.
Organet e hetuesisë kishin për detyrë demaskimin e shpejtë dhe të gjithanshëm deri në eliminim të “armiqve të popullit” të të gjithë kategorive. Hetuesia duhej të zbulonte të gjitha veprimtaritë armiqësore që rrezikonin regjimin dhe të bënte në kohë verifikimin e deponimeve, duke mbledhur të gjitha provat e mundshme për të dokumentuar fajin e armiqve. Më e rëndësishmja ishte që çështja hetimore të trajtohej në prizmin e politikës së partisë dhe të interesit të saj. Ky ishte edhe parimi themelor i punës së hetuesisë komuniste. Hetuesi duhej ta konsideronte veten si luftëtar të çështjes së partisë dhe popullit që ndeshet me armikun dhe që në ndeshje ai duhet të fitonte, duke zbuluar të vërtetën objektive, e cila ishte në interesin e partisë dhe popullit.
Një luftëtar i tillë i çështjes së partisë dhe popullit ishte edhe Qemal Lame, i cili ishte drejtuesi i kësaj strukture, madje në vitet e ngjarjeve të mëdha, sikurse ishte koha e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, pushkatimit të Kadri Hazbiut e zbulimit të një sërë grupesh armiqësore që dilnin nga hetuesia e Qemal Lames.
Ky Qemali i sotëm, mundohet sot të na mbushë mendjen duke shkruar e duke dalë nëpër studio televizive, që ai ka shpëtuar kushedi sa njerëz nga Enver Hoxha, përfshi edhe Ismail Kadarenë. Është e turpshme që mediat i japin hapësirë televizive këtij njeriu dhe shumë neveritëse të shohësh si ai mundohet të manipulojë opinionin e sotëm publik, duke pretenduar të shpjegojë si ka funksionuar sistemi komunist i parë nga brenda dhe duke shfajësuar njëherazi veten.
Ky Qemali i djeshëm, sikur do të shohim në dokumentin e mëposhtëm, ishte aq fanatik dhe besnik i regjimit, saqë më 23 qershor 1983, si drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë, raportonte se e kishte kishte arrestuar 154 persona, duke realizuar 100% planin e arrestimeve. Pra, kishte bërë një punë shumë të mirë. Po të zgjohej “qoftëlargu” nga Sharra, ky Qemali i djeshëm dhe i sotëm, do të ishte me shumë gjasa komunisti “antikomunist” më i parë që do të bënte para atij autokritikë për sjelljen e qëndrimet e tij.
Ky Qemali ishte i vetmi funksionar i lartë i regjimit komunist që e hidhte firmën me dy kate (shiko faksimilen më poshtë) dhe herë nënshkruante me mbiemrin Lamaj e herë me Lame.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.