
Pse një vend me rezerva të mëdha nafte ka një nevojë kaq të fortë për të pasur energji bërthamore të zhvilluar?
Patrick Wintour – The Guardian
Në tetor të vitit 1978, dy liderë të opozitës iraniane kundër shahut të mbështetur nga Britania u takuan në një periferi të Parisit për të planifikuar fazat e fundit të revolucionit, një revolucion që pas 46 vitesh të ngarkuara me ngjarje dramatike dhe shpesh të dhunshme, mund të jetë pranë përfundimit.
Dy burrat kishin pak të përbashkëta përveç kombësisë, moshës dhe vendosmërisë për të përmbysur regjimin. Karim Sanjabi, udhëheqës i Frontit Kombëtar, ishte një akademik i edukuar në Sorbonë, ndërsa Ruhollah Khomeini, figurë fetare shiite, kishte udhëhequr kundërshtimin ndaj monarkisë që nga vitet ’60. Sanjabi kishte sjellë një deklaratë me qëllimet e revolucionit që do të udhëhiqnin bashkë, ku përmendeshin demokracia dhe Islami si parime bazë. Por Khomeini, me dorën e tij, shtoi një të tretë: pavarësinë.
Kjo kërkesë për pavarësi, e lindur nga një histori e gjatë shfrytëzimi kolonial, shpjegon edhe këmbënguljen e sotme të Iranit për të pasur të drejtën e pasurimit të uraniumit. Kjo çështje ka qenë në qendër të përplasjes me Perëndimin që nga fillimi i shekullit dhe ishte pika kyçe në negociatat që çuan te marrëveshja bërthamore (JCPOA) në vitin 2015. Pikërisht kjo çështje është në thelb të sulmeve që Irani po përjeton nga Izraeli dhe SHBA.
Nga këndvështrimi amerikan, kërkesa për të pasuruar uraniumin brenda vendit kur mund të importohej nga vende si Rusia shihet si provë që Irani synon fshehurazi të ndërtojë një armë bërthamore. Pavarësisht se lideri suprem ka lëshuar një urdhër kundër armëve bërthamore, shumë në Perëndim e shohin këtë si mashtrim.
Në rrjete sociale, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance shprehu pikërisht këtë dyshim, duke thënë se nuk ka parë asnjë arsye të mirë pse Irani duhet të pasurojë uranium përtej nivelit civil apo të shkelë detyrimet ndaj traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore. Ai theksoi se pasurimi i uraniumit për përdorim civil kërkon vetëm 3.67% pastërti, ndërsa për armë bërthamore nevojitet 90%. Irani ka arritur tashmë në 60%, që është shumë pranë nivelit të nevojshëm për armë.
Irani thotë se kjo nuk është e mistershme: ishte një reagim i hapur dhe i paralajmëruar ndaj vendimit të Trump për të dalë nga marrëveshja në 2018, duke i hequr Iranit përfitimet ekonomike që i ishin premtuar. Për më tepër, SHBA vendosi sanksione dytësore që e bënë pothuajse të pamundur për Europën të tregtonte me Iranin.
Për pasojë, politika iraniane në dekadën e fundit është formësuar nga ndjenja se Irani ishte pala e mashtruar dhe se SHBA është thelbësisht e pabesueshme. Liderë të moderuar si ish-presidenti Rouhani dhe ministri i Jashtëm Zarif investuan shumë për të arritur një marrëveshje me Perëndimin, por më pas Perëndimi e la në baltë. Ndërkohë, Izraeli, që nuk është pjesë e traktatit për mospërhapjen e armëve dhe ka armë bërthamore të padeklaruara, vazhdon të mbështetet nga Perëndimi.
Megjithatë, pyetja mbetet: pse një vend me aq shumë naftë ngul këmbë për të zhvilluar energji bërthamore vetë?
Një analizë e re nga Vali Nasr në librin “Strategjia e Madhe e Iranit” e lidh këtë me përvojat historike të shfrytëzimit kolonial dhe dëshirën për pavarësi. Nasr thotë se edhe përpara revolucionit, para krizës së pengjeve apo sanksioneve, përpara luftës me Irakun, Khomeini dhe pasuesit e tij e vendosnin pavarësinë nga ndikimi i huaj në të njëjtin nivel me rëndësinë e Islamit në shtet. Khamenei, lideri aktual, është shprehur se përfitimi më i madh i revolucionit është fakti që “të gjitha vendimet merren në Teheran”.
Shumë nga idealet e revolucionit janë zbehur me kohën, por kërkesa për pavarësi ka mbijetuar. Kjo ndjenjë ka rrënjë të thella. Në shekullin XIX, Irani ishte i shtrënguar mes fuqive perandorake britanike dhe ruse. Në shekullin XX, burimet e tij të naftës u shfrytëzuan nga kompanitë britanike. Në dy raste, në 1941 dhe 1953, udhëheqësit iranianë u rrëzuan me ndihmën e Britanisë dhe SHBA. Rrëzimi i kryeministrit të njohur Mohammad Mosaddegh nga një grusht shteti i organizuar nga CIA për shkak të përpjekjes së tij për të kontrolluar burimet e naftës, mbetet një plagë e thellë kombëtare.
Pas revolucionit, energjia bërthamore dhe e drejta për pasurim uraniumi u kthyen në simbole të pavarësisë. Por fillimisht ishte vetë Perëndimi që ia ofroi Iranit këtë teknologji, në kuadër të programit “atome për paqe”. Me miratimin e SHBA-së, shahu nisi ndërtimin e 23 termocentraleve bërthamore me qëllim që Irani të eksportonte energji dhe të konsiderohej një shtet modern. Historiani britanik Michael Axworthy ka thënë se kjo strategji dukej atëherë një mënyrë e mençur për të shfrytëzuar një burim të kufizuar (naftën) për të krijuar një burim të pakufizuar (energjia bërthamore).
Por pas revolucionit të 1979, programi ndaloi. Khomeini e konsideronte energjinë bërthamore si një shprehje të dekadencës perëndimore dhe një rrezik për varësinë nga teknologjia e huaj. Sidoqoftë, pas pak vitesh, nevoja për energji dhe rritja e popullsisë e shtynë qeverinë të rimendonte qëndrimin. Lufta me Irakun, sulmet ndaj centraleve gjysmë të përfunduara dhe paditë miliardëshe ndaj kompanive europiane u bënë arsye për të rilindur një ndjenjë të re, nacionalizmin bërthamor.
Në vitin 1990, autoriteti bërthamor iranian shpalli se deri në vitin 2005, 20% e energjisë do të vinte nga burime bërthamore. Presidenti Rafsanjani ftoi shkencëtarët e larguar të ktheheshin në Iran dhe të ndihmonin në ndërtimin e programit. Ai tha: “Nëse nuk i shërbeni Iranit, kujt do t’i shërbeni?”
Për disa kohë, programi shihej si një simbol i përparimit shkencor. Por gjatë luftës me Irakun, Rafsanjani pranoi se për herë të parë kishin menduar për një aftësi parandaluese, ndonëse ajo ide nuk u bë realitet. Ai udhëtoi në Pakistan për të takuar Abdul Qadeer Khan, “babain” e armëve bërthamore pakistaneze, i cili më pas ndihmoi Korenë e Veriut të zhvillonte bombën atomike.
Në vitin 2002, një rrjedhje informacioni nxori në dritë dy objekte sekrete për pasurim uraniumi. Irani tha se nuk ishte i detyruar të njoftonte Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), pasi ato nuk ishin funksionale. Sipas Iranit, traktati për mos-përhapjen e armëve garanton të drejtën e çdo shteti për të zhvilluar program paqësor bërthamor.
Nga ajo kohë filloi një proces i gjatë negociatash që vazhdon ende sot. Në vitin 2003, nën presion ndërkombëtar, Irani pranoi të nënshkruante protokolle që lejonin inspektime të papritura nga IAEA. Në 2004, nën marrëveshjen e Parisit, ra dakord të pezullonte përkohësisht pasurimin e uraniumit si një akt vullnetar për të ndërtuar besim, pa qenë i detyruar ligjërisht. Por me ardhjen në pushtet të presidentit populist Ahmadinejad në 2005, qëndrimi ndryshoi. Ai e paraqiti teknologjinë bërthamore si një arritje shkencore të rinisë iraniane dhe theksoi përdorimet e saj për energji, mjekësi dhe bujqësi.
Ndërkohë që SHBA kërkonte ndalimin e pasurimit dhe Irani ngulte këmbë për të drejtën ligjore, vendet europiane përpiqeshin të ndërmjetësonin. Edhe Brazili e India propozuan kompromise. Por perceptimi perëndimor u formësua nga drejtori i atëhershëm i IAEA, Mohamed ElBaradei, i cili tha se Irani nuk kërkonte armë, por njohje si fuqi rajonale. Ai besonte se zotërimi i teknologjisë bërthamore i jepte Iranit prestigj dhe forcë, dhe i detyronte SHBA-të ta trajtonin si të barabartë.
Presidenti Rouhani shkroi se për Iranin, zotërimi i ciklit të karburantit bërthamor nuk ka të bëjë vetëm me energjinë, por me identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Nëse nuk kuptohet kjo, shumë nga problemet me Iranin nuk do të zgjidhen kurrë.
Megjithatë, nëse qëllimi i Iranit me programin bërthamor ishte vetëm siguria dhe pavarësia, atëherë kostoja e paguar ka qenë shumë e lartë dhe ndoshta vetëshkatërruese.