Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit kishte në misionin e saj përgjimin e ambasadave dhe diplomatëve të huaj që ishin akredituar në Shqipëri.
Përgjimi i bisedave të tyre, qoftë i bisedave telefonike apo edhe takimeve të ndryshme midis diplomatëve të huaj, u intensifikua së tepërmi në vitet e fundit të diktaturës. Qindra përgjime të tilla janë të dokumentuara. Mesa duket për Ramiz Alinë ishte e rëndësishme të kishte dijeni për opinionin e tyre në lidhje me situatën në Shqipëri.
Më poshtë po japim një bisedë të shkurtër por shumëinteresante sa i përket karakterit të informacionit, ndërmjet sekretarit të parë të ambasadës çekosllovakë dhe homologut të tij algjerian.
E hartuar në formën e një raporti, transkriptimi i bisedës që mban datën 29 korrik 1989, i dërgohet për ta lexuar Ramiz Alisë, me firmën e Ministrit të Brendshëm, Simon Stefani.
Ajo që bie në sy është analiza e saktë që diplomatët e huaj i bëjnë zhvillimeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në Shqipëri.
Ata konstatojnë jo vetëm një demokratizim të jetës së shqiptarëve nën drejtimin e Ramiz Alisë, por po ashtu shprehin edhe bindjen e tyre të plotë për “kursin e hapjes së vendit”, që Ramiz Alia po ndërmerrte duke zbatuar “një formë të moderuar perestrojke”.
Më poshtë po japim raportin e plotë, i cili është nxjerrë nga Fondi i KQ të PPSH në Arkivin e Shtetit:
***
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar nr…
DREJTORIA I
Nr. 7151 Tiranë, më 29.7.1989
Lënda: Për bisedën midis sekretarit të parë çekosllovak Vladimir S. dhe sekretarit të parë algjerian Boubaker H.
SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA
Tiranë
Vladimir S., sekretar i parë i ambasadës çekosllovake, në bisedë me kolegun e tij algjerian, midis të tjerash thotë:
“Në Shqipëri të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë e as që mund të bëhet fjalë për to. Të gjithë e thonë këtë gjë, prandaj shqiptarët e panë të arsyeshme të fliste Foto Çami për këtë problem.
Është e pamundur, që këtu të gjithë njerëzit në mënyrëabsolute, të mos jenë dakord për ekzistencën e kishave dhe xhamive e të mos ndjejnë nevojën e një prifti, etj.
Nuk ka dyshim që shkaqet e moslejimit të ushtrimit të fesë janë politike dhe kur politika ka nevojë për gjëra të tilla, shqiptarët janë gati të minimizojnë të drejtat e njeriut deri në pikën e fundit.
Politikën e forcimit të miqësisë, shqiptarët nuk po e ndjekin vetëm me Gjermaninë. Ky problem është më i thellë, mbrapa tij qëndron një politikë e tërë. Jo vetëm Gjermania, por edhe Italia, Franca e shtete të tjera Perëndimore ndjekin këtë politikë të madhe. Pas tyre qëndron NATO-ja, politika e saj, që bëhet me anën e këtyre shteteve kapitaliste në lidhje me Shqipërinë.
Në vija të përgjithshme, sistemi aktual shqiptar është më demokratik se ai i mëparshmi.
Para pak vjetësh ekzistonin njerëz të posaçëm që merreshin me heqjen e antenave me të cilat kapeshin stacionet e huaja televizive, pra kishte policë antenash, ndërsa tani, kudo të sheh syri antena shumë të fuqishme që s’kanë të bëjnë aspak me stacionin e Tiranës, por vetëm me ato të Jugosllavisë dhe Italisë.
Nuk është vetëm ky fakt, ka edhe shumë të tjera që dëshmojnë për një demokratizim të madh të jetës së vendit.
Më parë thuhej shpesh, që në radhët e rinisë ka një influencë të huaj, revizioniste apo kapitaliste, ndërsa tani nuk e thonë më këtë gjë.
Kongreset e deritanishme nuk kanë bërë ndonjë ndryshim të platformës. Edhe në qoftë se Ramiz Alia dëshiron të bëjë ndryshime të mëdha, ai nuk guxon. Nuk ka forcë të dalë para armiqve të tij të brezit të vjetër. Ky është një njeri krejt ndryshe nga Enver Hoxha, por deri tani ka qenë i detyruar të ndjekë politikën e themeluar nga ai.
Në botë sot po ndodhin gjëra të reja që kërkojnë edhe një qëndrim të ri, por nuk mund të bëjë novatorizma të mëdha tani për tani, nga që duhet të eci akoma edhe ca kohë në gjurmët e Enver Hoxhës.
I gjithë brezi i Enver Hoxhës ka ndjekur me fanatizëm rrugën e tij. Po të supozojmë se ky do të ishte akoma gjallë, e për arsye moshe e shëndeti, s’do të udhëhiqte ai por Ramiz Alia, nuk diskutohet që s’do të guxonte në asnjë mënyrë të bënte këto novatorizma që ka bërë deri tani, e do të ishte plotësisht me doktrinën e tij.
Ishin pikërisht nevojat e mëdha ekonomike të vendit, që e detyruan të bëjë ndryshime në politikën e tij dhe njëkohësisht të gjeje mbështetjen e brezit të vjetër për këtë gjë”.
Në përgjigje, sekretari i parë algjerian Boubaker H., thotë:
“Me luftën që i bëjnë fesë, shqiptarët duan të tregojnë se janë i pari vend socialist pa kurrfarë dogmash. Shqipëria po hapet dhe ndryshimet e saj po bëhen në një formë të moderuar “perestrojke”.
Në Gjermani, Foto Çami foli për shumë probleme që do t’i zgjidhin së bashku me ta, gjë kjo që dëshmon për forcimin e mëtejshëm të miqësisë së tyre”.
Ministri i Punëve të Brendshme
Simon Stefani
Nënshkrim
Vulë
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.