Historia e Luftës së Dytë Botërore edhe tashmë që janë bërë afro 80 vjet ka ende enigma dhe debate në lidhje me shumë episode dhe ngjarje të ndodhura në atë kohë. Një nga ngjarjet enigmatike dhe që është shkruar fare pak është pushkatimi i 111 karabinierëve italianë të zënë rob nga partizanët pas kapitullimit të Italisë fashiste.
Pas një prite që partizanët i bën autokolonës gjermane në Përroin e Pishkashit kapën shumë ushtarë italianë të cilët po iknin me shpresën se do të riatdhesoheshin.
Pasi u bën thirrje që të dorëzoheshin partizanët nisën ofensivën dhe kapën shumë ushtarë italianë të cilët më pas i çuan në Orenjë.
Pjesë e kësaj trupe ishte dhe kolona Gamucci e drejtuar nga kolonel Giulio Gamucci.
Kolonel Gamucci dhe grupin e oficerëve i izoluan në ndërtesën e komunës së Zdrajshës, ku ishin nën kontrollin e rojeve partizane të Batalionit të Çermenikës.
Më 15 tetor 1943 nëntoger Galiardi dhe kapiten Karboni, u takuan dhe biseduan me komandantin Kadri Hoxha, i cili pyetjes së tyre: “Çfarë do të bënin me oficerët italianë”, iu tha: “Per quanto riguarda gli ufficiali, una soluzione definitiva è in via di attuazione! (për sa i përket oficerëve, është në rrugë zgjidhja përfundimtare”. (Intervista televizive e Kadri Hoxhës më 1996)
Më 16 tetor 1943 në Fushë Gurrë arrin Xhelal Staravecka me Batalionin II të Brigadës I Sulmuese, me detyrë: “Zbatimin e urdhërit të Dushan Mugoshës dhe të Mehmet Shehut: Pushkatimi i karabinierëve dhe i oficerëve”.
Xhelal Staravecka qëndroi në Fushë Gurrë 48 orë.
Më 17 tetor 1943 u ekzekutuan 111 karabinierët dhe 10 oficerët italianë, si ka dëshmuar Xhelal Staravecka, komandanti i Batalionit II të Brigadës I S:
“Më zgjuan në mesnatë e më thanë të paraqitem në shtab. Kur hyra brenda më priste Dushan Mugosha, me sytë që i ndrisnin. Ai më tha: Në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd dhe shko e pushkatoi, sepse kemi nevojë për uniformat, që të veshim partizanët. Mos fol me asnjë se është sekret e në rast se e zbulojnë të tjerët, do të protestojnë kundër nesh, sidomos tani që janë miq të aleatëve. Më keq do të jetë, nëse e zbulojnë ata të Ballit Kombëtar, do ta kenë një armë më shumë kundër nesh. Gjithçka që tha Mugosha ishte urdhër, nuk diskutohej. Shkova në Orenjë, në qendrën e Batalionit të Çermenikës… ku të gjithë ishin në dijeni. Të nesërmen, mora 111 karabinierët së bashku me kolonel Gamucci, komandantin e tyre dhe rreth 10 oficerë. Iu thashë se do të shkojmë në Burrel. Pas dy orë udhëtimi, ndaluam, i lidhëm karabinierët dhe pasi i ndava në 5 grupe, i zhveshëm e më pas i pushkatuam… Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre, u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim, ndërsa 17 prej tyre i kam pushkatuar unë me dorën time…”
Lidhur me këtë ngjarje sa të dhimbshme aq dhe të panjohur Vox News ka biseduar me një karabinier italian, i cili i ka kushtuar një pjesë të mirë të jetës së tij studimit të kësaj ngjarje historike. Antonio Magagnino ka bërë një libër që flet për karabinierët e pushkatuar në Shqipëri, jo vetëm si një detyrim për të zbardhur të vërtetën historike, por dhe si një detyrim për të lehtësuar dhimbjen e familjeve të tyre.
Më poshtë biseda e Vox News me zotin Magagnino...
Vox News: Zoti Magagnino, në fillim ju falënderoj për mundësinë që na dhatë për pasur këtë bisedë sëbashku, e cila jo vetëm informon publikun shqiptar, por dhe zbardh të vërteta historike, të cilat janë prekur pak ose dhe aspak. Për të pasur një informacion në lidhje me ju, mund të na flisni pak për veten, kush jeni dhe cili është profesioni juaj?
Antonio Magagnino: Kam punuar në trupën e Karabinierëve me rol inspektor, kjo më ka lënë hapësirë që të bëj kërkime historike në terren.
Vox News: Nga informacioni që lexuam në internet pamë se keni bërë një libër që lidhet me Luftën e Dytë Botërore dhe në mënyrë konkrete flisni për pushkatimin e 111 karabinierëve nga forcat partizane. Çfarë është kjo histori dhe pse deri më tani është folur pak?
Antonio Magagnino: Shkrimi tregon të vërtetën e pastër në lidhje me atë që ka ndodhur me kolonën Gamucci, e cila u zhduk papritur kur ra në duart e partizanëve shqiptarë dhe atyre të Titos, për t'u mashtruar më vonë me bashkëpunimin e partizanit të vetëshpallur Kolonel Kadri Aziz Hoxha, i cili u paracaktoi atyre një fat mizor. Në vitin 1946 në Romë u hap një çështje penale në të cilën, u dënua vetëm një nga autorët materialë të masakrës, kapedan Xhelal Staravecka, i cili u lirua tre vjet më vonë falë amnistisë italiane. Që nga ai moment gjithçka u la qëllimisht në harresë, aq sa dhe vetë të afërmit për gati 80 vjet mbetën në errësirë për atë që kishte ndodhur me të dashurit e tyre.
Vox News: Përse jeni përkushtuar kaq shumë ndaj kësaj ngjarjeje?
Antonio Magagnino: Hulumtimi zgjati 9 vjet dhe iu kushtua pasionit për të vërtetën.
Vox News: Çfarë të rejash sjell libri juaj, që nuk janë trajtuar në botimin e Massimo Coltrinarit, për ushtrinë italiane në Shqipëri?
Antonio Magagnino: E re është gjithçka. Është vendi i masakrës janë emrat e Karabinierëve Mbretërorë dhe shumë prej autorëve. Askush nuk ka folur ndonjëherë për të, përveç disa rreshtave.
Vox News: A keni takuar ndonjë ushtar apo drejtues të luftës nga Shqipëria, çfarë ju kanë thënë për këtë ngjarje?
Antonio Magagnino: Po, kam gjurmuar disa komponentë të kolonës Gamucci, e cila fillimisht u nis nga Tirana, duke me konfirmuar datën e saktë të masakrës dhe të ngjarjeve të ndodhura dhe të regjistruara.
Vox News: Gjithsesi Shqipëria ishte një vend i pushtuar dhe urrejtja ndaj pushtuesit ndonjëherë të bën që të kalosh edhe në ekstreme? Sa ushtarë italianë janë vrarë në Shqipëri sipas të dhënave që ju keni?
Antonio Magagnino: Mendoj se reagimi shqiptar ishte i drejtë, por deri në disa kufij. Ishte një vend i sulmuar, i pushtuar dhe i pushtuar nga forca që më parë ishin mike. Krenaria nuk vonoi të vinte nga disa (për disa kriminelë, për disa të tjerë heronj) të cilët megjithatë krijuan fakte të tilla me urdhër të kriminelëve të Titos.
Vox News: Çfarë dini ju për luftën partizane në Shqipëri?
Antonio Magagnino: Lufta në Shqipëri ishte një makinë joproporcionale, aq sa edhe e padrejtë që sigurisht nuk duhej të ndodhte.
Vox News: A keni pasur kontakte nga shtëpi botuese shqiptare që libri të vijë dhe në gjuhën shqipe?
Antonio Magagnino: Nuk kam pasur kurrë kontakt me shtëpi botuese shqiptare, edhe sepse në qershor do të dalë libri im i dytë. Pastaj do të kërkoj një botues.
Vox News: Cili është opinioni juaj për shqiptarët, duke qenë se pas vitit 1990 në Itali jetojnë shumë emigrantë të ardhur nga Shqipëria?
Antonio Magagnino: Mendimi im për shqiptarët kanë qenë gjithmonë i shkëlqyer. Kam shumë miq dhe të njohur që i kam vlerësuar dhe i admiroj për atë që janë dhe bëjnë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.