Ekskluzive -VOX Arkiva / Sa ishte numri i të internuarve në vitin 1989?

1 May 2022, 21:49Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive -VOX Arkiva / Sa ishte numri i të internuarve në vitin
Telat me gjemba, simbol i rrethimit ne kampet e internimit

Dokumenti që po publikojmë më poshtë hedh dritë mbi numrin e të internuarve dhe dëbuarve në vitin 1989, pra në prag të rënies së pushtetit komunist.

Ministri i Brendshëm Simon Stefani i raportonte Ramiz Alisë së në muajin mars 1989, numri i përgjithshëm i të internuarve (politikë dhe ordinerë) është 1155 persona, prej të cilëve 994 për shkaqe politike dhe 161 të tjerë për arsye jo politike. Ndërsa numri i të dëbuarve për shkaqe jo politike ishte 53 persona. 

Po ashtu, nga raporti mësojmë se gjatë vitit 1988 ishin internuar 109 persona, ishin liruar para kohe 93 persona dhe se kishin kryer të plotë masën e dënimit 188 të tjerë. Në raport dalin edhe problematika të caktuara, sikurse ishte p.sh. abuzimi që bëhej me këtë “masë me karakter të jashtëzakonshëm”, sikurse regjimi e quante.

Sikurse shohim, ky numër nuk përfaqëson gjithë periudhën 45-vjeçare të regjimit komunist, por sigurisht që është një tregues. Po ashtu, nëse do të nxirren nga arkivat raportet e përvitshme për këtë çështje, është plotësisht e mundur që të arrihet në një numër të saktë të gjithë të internuarve e të dëbuarve politikë e jopolitikë gjatë regjimit komunist.

Më poshtë po japim dokumentin të plotë, i cili  është nxjerrë nga fondi i Komitetit Qendror të PPSH:

***

Sekret

Ekzemplar nr. 1

Tiranë, më 18.3.1989

INFORMACION MBI GJENDJEN E PERSONAVE TË INTERNUAR E DËBUAR

Aktualisht me masë internimi janë 221 familje me 776 pjesëtarë e 379 individë, gjithsej 1155 persona dhe 4 familje me 9 pjesëtarë e 44 individë, gjithsej 53 persona me masë dëbimi. Nga këta, 210 familje me 738 pjesëtarë e 256 individë, gjithsej 994 persona janë për shkaqe politike; 11 familje me 38 persona e 123 individë, gjithsej 161 persona, janë për shkaqe jo politike si dhe 4 familje me 9 pjesëtarë e 44 individë, gjithsej 53 persona të dëbuar për shkaqe jo politike.

Nga 994 persona të internuar për shkaqe politike, 26 familje me 73 pjesëtarë e 21 individë, gjithsej 94 persona, janë elementë antiparti e lidhje të tyre, si dhe lidhje të komplotistëve; 51 familje me 210 pjesëtarë e 40 individë, gjithsej 250 persona, janë pjesëtarë të familjeve me qëndrim të keq politik e lidhje të të dënuarve për krime kundër shtetit; 133 familje me 455 pjesëtarë e 29 individë, gjithsej 484 persona, janë pjesëtarë të familjeve të personave të arratisur jashtë shtetit dhe 166 persona janë me tendencë arratisje jashtë shtetit.

Nga 161 persona të internuar për shkaqe jo politike, 5 familje me 12 pjesëtarë e 96 individë, gjithsej 108 persona, janë për vjedhje e akte rrugaçërie; 6 familje me 26 persona, janë pjesëtarë të familjeve të personave që kanë kryer vrasje dhe 27 persona janë për qëndrim të keq moral.

Nga 53 persona të dëbuar, 4 familje me 9 pjesëtarë janë për vrasje; 30 persona për vjedhje dhe 14 persona janë për qëndrim të keq moral.

Gjatë vitit 1988 janë internuar 35 familje me 93 pjesëtarë e 16 individë, prej të cilëve 22 familje me 61 pjesëtarë janë internuar për arsye se u janë arratisur pjesëtarë të familjeve jashtë shtetit; 7 familje me 20 pjesëtarë e 16 individë kanë patur vetë tendencë arratisje jashtë shtetit, ndërsa 6 familje me 12 pjesëtarë janë internuar për shkaqe jo politike.

Krahas zbatimit të masës së internimit e dëbimit, gjatë vitit 1988 u është hequr para kohe masa e internimit 7 familjeve me 19 pjesëtarë e 74 individë, gjithsej 93 persona dhe janë liruar me plotësim kohe 188 persona. Ndërsa gjatë muajve janar-shkurt, të këtij viti, janë internuar 10 familje me 29 pjesëtarë e 4 individë, u është hequr masa e internimit para kohe 25 personave dhe janë liruar me plotësim kohe 72 persona.

Si rezultat i punës së bërë në bashkëpunim me organet e Partisë e të pushtetit në bazë për riedukimin e të internuarve e të dëbuarve, numri i tyre i përgjithshëm ka ardhur gjithmonë duke u ulur.

Megjithatë, në praktikën e zbatimit të këtyre masave ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme, për kapërcimin e të cilave është punuar e po punohet vazhdimisht.

Jo gjithnjë e nga të gjithë kuptohet se internimi e dëbimi janë masa me karakter të jashtëzakonshëm dhe si të tilla ato duhen përdorur sa më rrallë të jetë e mundur dhe gjithnjë brenda kritereve të caktuara me ligj.

Në shumë raste, organet e bazës, për çdo problem shqetësues që kanë, preferojnë të bëjnë propozime për internim ose dëbim, si rruga më e lehtë, se sa të dokumentojnë veprimtarinë armiqësore me prova e ta zgjidhin problemin në rrugë normale, gjyqësisht, ose me këshillim apo demaskim.

Ka tendencë për të internuar jashtë rrethit për të hequr qafe “të bezdisshmit”, pa marrë parasysh vështirësitë për strehimin, punën dhe kontrollin në rrethet ku propozohet të dërgohen.

Rrethet nga janë internuar persona të ndryshëm, kur u kërkohet mendimi për t’i liruar para kohe ata, sepse me punën dhe sjelljen e tyre kanë treguar se janë rehabilituar, mbajnë qëndrime të ngurta, të nisur nga mendimi, se po të lirohen mund të kthehen përsëri në rrethin e tyre, e ju hapin telashe.

Ekziston tendenca që të kërkohet internimi në afatin maksimal, 5 vjet, pa bërë diferencim sipas rrezikshmërisë që paraqet secili person, qoftë dhe brenda një familje.

Në këto drejtime e të tjera, ne do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen, me qëllim që internimi e dëbimi si masë administrative me karakter të jashtëzakonshëm, të zbatohen në përputhje të plotë me ligjin dhe të luajnë rolin e tyre edukues e parandalues për elementët e lëkundshëm të shoqërisë, si dhe për t’u hequr mundësinë elementëve armiq e keqbërës të na dëmtojnë.

 

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

Simon Stefani

Nënshkrimi

Vula

 
Ekskluzive -VOX Arkiva / Sa ishte numri i të internuarve në vitin
 
Ekskluzive -VOX Arkiva / Sa ishte numri i të internuarve në vitin

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video