VIDEO/ Qytetari denoncon DIAMBE Market në Durrës, bleu sallam të prishur!

5 Gusht 2025, 23:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e VoxNews supermarketin DIAMBE, i cili i ka shitur produkte të prishura. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku klienti ka shkuar te supermarketi dhe ka bërë pazar. Ai merr produktet, të cilat do t'i konsumonin fëmijët dhe i dërgon në banesë. Në momentin që i bën gati t'ua servirë, ç'të të shohë; sallami që bleu te DIAMBE ishte i prishur dhe vinte erë shumë e rëndë!

Po nëse do t'ua jepte për konsum fëmijëve, çfarë pasojash mund të kishim? Ku janë këta inspektorët që bëjnë kontrolle? Apo Muçrat merren vetëm me produktet e fshatit e të malit nëse kanë apo jo faturë. Nga njëra anë bëhen kontrolle të kota te shitësit ambulantë dhe lihen pa asnjë kontroll produktet në supermarketet.


Në video: Debati mes qytetarit dhe punonjësve të DIAMBE Market në Durrës

Të gjithë episodin qytetari e filmoi. Disa minuta pasi bleu sallamin dhe konstatoi se ishte i prishur, ai u paraqit në supermarket, duke ia treguar fillimisht një punonjëse. Ajo e shikon dhe bisedon me një tjetër, i cili është edhe menaxheri.

Të dy punonjësit e pranojnë se malli është jashtë kushteve që duhet të ishte, teksa bëjnë edhe procedurat për t'i kthyer vlerën e pagesës. Por më shumë sesa vlera e mallit, ajo që konstatohet nga këto pamje është mungesa e plotë e kontrollit të cilësisë së ushqimeve.

A janë të kontrolluara produktet që ne blejmë në supermarkete apo markete? A i kontrollojnë institucionet shtetërore këto ushqime? Po vetë rrjeti i marketeve?

Aksioni i disa javëve më parë në Vorë, ku një biznes rihidhte mallra të skaduar sërish në treg, duhet të jetë një këmbanë alarmi për këdo. Që nga punonjësit përtacë të AKU-së, apo edhe të tjerëve, që kujtohen vetëm kur ka aksione. Nëse duan denoncime të qytetarëve, rasti më sipër është njëri prej tyre.

Kontrollet, sidomos të ushqimeve, nuk bëhen nga zyra, apo me fjalë në rrjete sociale, por me njerëz në terren. Me laboratorë të certifikuar dhe të akredituar. Paratë deri më sot s'kanë munguar, pasi janë hedhur dhjetëra miliona euro. Por, rezultati është ZERO!

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video