Kompania “Kurum” është në qendër të një skandali të madh, nën hetim për trafikimin e dy anijeve me 60 dhe 40 kontejnerë mbetjesh të rrezikshme, përkatësisht pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, drejt Tajlandës.
Në Turqi, pronari Asmet Kurum ka qenë i përfshirë në një tjetër skandal mashtrimi, ku mediat turke e akuzojnë se ka marrë qindra milionë euro nga bankat turke dhe britanike, si dhe 210 milion euro nga bankat shqiptare, duke falsifikuar bilancet, shkruan joq.
Skandali ka marrë përmasa ndërkombëtare, duke përfshirë një listë bankash të mashtruara në Turqi, Shqipëri dhe Angli.
Sipas gazetës turke “Sabah”, skandali i kompanisë “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA”, ka të bëjë me një mashtrim të gjerë ndaj 33 bankave në këto vende.
Gazetarja turke Dilek Güngor shkruan se ky mashtrim ishte aq i sofistikuar saqë “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.
“Kürüm Demir” është një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi dhe deri në vitin 2013 kishte të ardhura të mira.
Megjithatë, pas këtij viti, rritja e kostove për nxjerrjen e hekurit nga pasuritë nën tokë shkaktoi humbje, duke i detyruar drejtuesit e saj të përdornin bilance fiktive për të fshehur vështirësitë financiare.
Përmes këtyre bilanceve dhe kompanive fantazmë, “Kürüm Demir” mashtroi bankat dhe vazhdoi të merrte kredi, edhe pse kompania ishte në prag falimentimi.
Në Shqipëri, “Kürüm International SHA” dyshohet se ka marrë më shumë se 210 milion euro kredi nga bankat përmes bilanceve të falsifikuara, përfshirë bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP)”, dhe “NBG Bank”.
Drejtuesit e kompanisë janë akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Ky skandal ka shkaktuar shqetësim të madh në Turqi, në një kohë kur sektori bankar po përballet me vështirësi të mëdha financiare.
Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë ky mashtrim në Shqipëri, ku vetëm nga bankat shqiptare janë “përpirë” 210 milion euro./ Burimi i lajmit Joq.