Zbardhja se si kanë votuar deputetët e opozitës për raportin “Tabaku” për inceneratorët zbulon se i gjithë Komisioni Hetimor dhe kauza e ngritur rreth këtyre koncesioneve ishte një flluskë sapuni që u përdor nga Basha për të hequr vëmendjen, ose për siguruar elektorat në zgjedhjet e 6 marsit.
Votimi tregon se vetë anëtarët e opozitës kanë votuar kundër, ose nuk morën pjesë fare në votimin për këtë raport. Pesë deputetë, mbështetës të Berishës kanë votuar kundër, po ashtu edhe tre të LSI-së. Mes atyre që votuan kundër ishte edhe vetë krahu ‘i djathtë’ i Tabakut në Komisionin Hetimor, Belind Këlliçi.
Mes deputetëve që nuk ishin të pranishëm ishte edhe Ina Zhupa dhe Edmond Spaho, ky i fundit i larguar para se Komisionit të mbyllte punën.
Rrëzimi i raportit parashikohej, përsa kohë PD nuk ka shumicën në Parlament, por mosvotimi i tij edhe nga vetë deputetët e PD-së, madje edhe pjesë e komisionit hetimor për inceneratorët tregon se Lulzim Basha u tall me të gjithë. U tall fillimisht me Jorida Tabakun, të cilës i krijoi përshtypjen sikur i kishte lënë në dorë çelësat e gjithë opozitarizmit.
U tall më pas me radhë me anëtarët e Komisionit Hetimor, me gjysmën e të cilëve dilte edhe në konferenca të posaçme për shtyp, ku denonconte atë që e quante aferë korruptive të shekullit. U tall me gazetarët, të cilëve u kërkonte që të përqendroheshin vetëm të inceneratorët dhe akuzonte se si mediat me urdhër të Edi Ramës po mbronin këtë aferë.
Basha u tall më pas me demokratët dhe anëtarësinë e thjeshtë të partisë, duke iu thënë e nënkuptuar se hetimi për inceneratorët ishte më i rëndësishëm se zgjedhjet e 6 marsit.
Por, mbi të gjitha, Lulzim Basha u tall me gjithë shqiptarët, të cilëve prej shtatorit të vitit të kaluar, kur nisi përplasja me Sali Berishën u ka kënduar çdo ditë të njëjtën këngë: atë se si në Shqipëri qeveris e vjedh një grup i korruptuar kriminal.
Gjithsesi, shqiptarët as e votuan dhe as e besuan dhe më 6 mars e ndëshkuan ashtu siç dinë ta bëjnë më mirë, me votë. Prandaj, në fund fare Lulzim Basha me kauzën e inceneratorëve u tall me veten, deputetët e komisionit u tallën me veten, duke hetuar, firmosur e prezantuar për raport në Kuvend gjetje imagjinare, e shpikje që, as vetë nuk i kanë lexuar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.