Akti normativ i Ramës, fitim 3 për qind dhe dyshime për çmime abuzuese në tregun e naftës

10 March 2022, 20:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Akti normativ i Ramës, fitim 3 për qind dhe dyshime për

Ideja e ndërhyrjes përmes një akti normativ që do t’i japë Qeverisë fjalën e fundit në përcaktimin e shitjes së çmimit të karburanteve, sipas burimeve të Voxnews.al, është diskutuar në dy ditët e fundit në qeveri.

Ky ishte edhe propozimi që u pranua nga Kryeministri Edi Rama, që në bashkëbisedimin me qytetarët në Facebook përjashtoi uljen, apo heqjen e taksave për të zbutur rritjen e fortë të çmimit të naftës.

Në vend të kësaj, Rama tha se brenda 48 orëve do të miratohet një akt normativ me fuqinë e ligjit, që do të hyjë në fuqi menjëherë. Rama tha se me këtë akt, Qeveria merr në dorë menaxhimin e gjithë zinxhirit të furnizimit me karburante.

Por çfarë po diskutohet konkretisht? Burime të Voxnews.al pohojnë se akti do të ngrejë një bord menaxhimi, që në përbërje do të ketë qeverinë dhe kompanitë kryesore të importimit dhe shitjeve me pakicë të naftës në vend.

Aktualisht propozohet që në akt, Qeveria të ketë të drejtën e vetos në këtë bord dhe fjalën e fundit për përcaktimin e çmimit dhe të marzhit të fitimit për kompanitë. Për marzhin e fitimit, Rama tha se ai do të jetë minimal, ndërsa burime të Voxnews.al thonë se shifra që po diskutohet është rreth 3 përqindëshit.

Me anë të këtij bordi, Qeveria do t’i sigurojë vetes të drejtën për të kontrolluar dhe verifikuar depozitat e kompanive importuese, çmimin e nxjerrjes nga këto depozita, kostot e transporti e deri hallkën e fundit të zinxhirit, çmimin e shitjes te qytetarët.

Me këtë vendim, Qeveria pranon dhe legjitimon dyshimet e qytetarëve se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri është abuzive e spekuluese nga tregtarët e mëdhenj të karburanteve. Këto dyshime pranohen edhe nga burimet e Voxnews.al.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video