
Brenda një periudhe kohore prej 2 javësh, shuma që qeveria mbledh vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për një litër naftë thuajse është dyfishuar.
Me çmimin 180 lek për litër, siç shitej nafta para më shumë se dy javësh, qeveria mblidhte si TVSh 20 për qind të çmimit final, që do të thotë rreth 36 lek për çdo litër karburant që blinin qytetarët.
Me çmimin e naftës që në disa pika po i afrohet 270 lekëshit për litër, shuma që mblidhet vetëm nga TVSh është rreth 55 lek për litër.
Kjo shpjegon pjesërisht edhe mungesën e vullnetit të Qeverisë për të ndërhyrë në treg dhe zbutur çmimin e naftës dhe të paktën nga ajo që tha Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në Facebook, këto para përdoren për të blerë energjinë në tregjet ndërkombëtare.
E njëjta logjikë ndodh edhe me produktet e tjera, që kanë pësuar rritje, mes të cilëve dhe ato të domosdoshme si buka, mielli, gruri e vaji e të tjera. Për qeverinë kjo përkthehet në më shumë të ardhura në buxhet.
Të ardhurat u reflektuan në janar e shkurt të këtij viti, ku sipas të dhënave zyrtare pësuan rritje me 24 për qind. Rritja më e madhe raportohej te doganat, që nga 27 mld lek që kishin planin dymujor, deklaruan realizimin e 29 mld lekëve, dy miliard më shumë.
Po sipas të dhënave të doganave, të ardhurat më të mëdha u siguruan nga akciza e naftës dhe duhanit. Akciza është taksë fikse prej 37 lekësh për çdo litër naftë dhe ajo paguhet nga importuesit në dogana.
Kjo sugjeron se në periudhën janar shkurt, kompanitë kanë importuar më shumë naftë, duke mbushur depozitat dhe një pjesë të kësaj nafte po e shesin me çmime rekord.
Në këtë mes, këto çmime aktualisht duket se nuk i interesojnë vetëm qytetarëve, sepse për kompanitë dhe qeverinë duken të volitshme. Të parët sigurojnë fitime marramendëse, e dyta më shumë të ardhura në buxhet, në një kohë krize me shpenzime marramendëse prej tërmetit dhe pandemisë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.