Prapaskenat e SEKUESTRIMIT të pallatit në Vlorë, kush është ish drejtori Bashkisë që ndërtoi pallatin pa leje!

14 Korrik 2025, 19:32Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kryeministri Edi Rama ‘bëri shembull’ sot një pallat pa leje, në proces ndërtimi në Vlorë, duke e rrethuar me shiritin e konfiskimit dhe kalimit në pronësi të shtetit.

Një operacion i ndjekur edhe më parë, ku ndërtuesit blenë me çmim të lirë pallatet e tyre pa leje, siç ishte edhe rasti i oligarkut Salillari.

“Sot do të bëhet një konfiskim i një kuazi pallati në Vlorë që është në shkelje të lejes së ndërtimit, ky proces synon të bashkojë dy gjëra, s’kemi asnjë minutë për të humbur“, tha Rama.

Sapo Kryeministri Edi Rama dha paralajmërimin në mbledhjen me deputetët e qarkut të Tiranës, menjëherë në Vlorë u shfaq drejtuesja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici.

Ajo inspektoi pallatin në ndërtim, nga ku deklaroi se ka shkelur lejen e ndërtimit.

Bici, e cila thotë se të gjitha subjektet që kanë shkelur apo do të shkelin lejen e ndërtimit, do të kenë të njëjtin fat, pra konfiskimin.

Po kush po e ndërtonte pallatin pa leje në Vlorë dhe si ka mundësi që u lejua nga bashkia dhe policia?

Pallati po ndërtohej nga Erjon Amataj, ish drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës, kur kryetar bashkie ishte Dritan Leli.

Amataj është lakuar për dallavere me lejet e ndërtimit në Vlorë, madje është marrë edhe i pandehur nga Prokuroria e Vlorës për leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin pas denoncimit nga Egon Velaj.

Erjon Amataj qëndron pas kompanisë së ndërtimit Armeer Konstruksion.

Sipas burimeve Amataj kishte marrë garanci nga kryebashkiaku Ermal Dredha për ndërtimin pa leje.

Nuk dihet nëse Amataj e ka paguar Dredhën apo i ka premtuar ndonjë apartament siç ka operuar Mojsi Lazaj, i cili po bën kërdinë me ndërtime pa leje, por në Vlorë flitet se Dredha ka nisur t’u marrë tarifa mujore edhe kioskave dhe shitësve ambulantë./Prapaskena


Video