Historia e dorëheqjeve në Bashkinë e Durrësit duket se ka një prapaskenë. Në fakt, dy nga emrat që ikën ndoshta provizorisht për t’u emëruar diku tjetër, kanë një të kaluar, ndoshta edhe të përbashkët, që të çon te një emër: Vangjush Dako.
Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, disa drejtorë dhanë dorëheqjen në Bashkinë e Durrësit, ndër ta edhe zonja Valbona Qiriako, drejtore e buxhetit. Gjithashtu, dha dorëheqjen edhe z. Ardjan Iljazaj, drejtor i Shërbimeve.
Por, kush janë këta dy emra?!

E para, zonja Valbona Qiriako është motra e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Mësohet se pas ikjes së Dakos nga posti i Bashkisë së Durrësit, ish-kryetarja Valbona Sako pati një konflikt me znj. Valbona Qiriako.
Sipas burimeve të VoxNews në Bashkinë e Durrësit, znj.Valbona Qiriako është emëruar në Bashkinë Durrës më datë 21 shkurt të vitit 1994. Një histori e gjatë në këtë bashki, ku për disa vite ka qenë edhe vartëse e vëllait të saj, një njeri me influencë të madhe në Durrës.
Edhe pas largimit të Dakos nga Bashkia e Durrësit (2006-2015), familja e tij ka pasur rrënjë të forta, pasi motra e tij që u shkarkua vetëm sot pas 31 vitesh punë në atë bashki, ka kontrolluar çdo qindarkë të hedhur në qytetin bregdetar.
Vite më parë, Gjushi loboi fortë që të hiqte nga detyra kryetaren Valbona Sako dhe vuri “bast” të fortë për Emiriana Sakon, e cila është një prurje e tij. Ai e mori në punë në vitin 2009, fillimisht si specialiste dhe më vonë si drejtoreshë e Shërbimeve.
Kryetarja aktuale Emiriana Sako është emëruar në Bashkinë Durrës më datë 11 maj 2009, në pozicionin specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit”.

Për disa vite me radhë, që nga koha kur u lira nga burgu, postin e Drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit e ka mbajtur z. Ardjan Iljazaj, ish drejtor i Kadastrës së Durrësit. Në janar të vitit 2019, kryeministri Edi Rama e shkarkoi “live” nga pozicioni i drejtorit të Kadastrës, pas një denoncimi në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel. “Drejtori i Hipotekës së Durrësit, një halabak. Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë. Një drejtori që meriton vetëm një përcaktim, një halabak. Për të cilin është marrë masa e shkarkimit” tha Rama.
Reagimi i Ramës u nxit pas një kamer të fshehtë, ku një qytetar pasi iu drejtua Kadastrës së Durrësit për të zgjidhur probleme, u ndesh me drejtorin Arjan Iljazaj. Ky i fundit i tha se “ik ta zgjidhë problemin Rama”.
Iljazaj u hetua dhe arrestua me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, e cila e akuzonte për mbivendosje pronash në bregdet, në Komunën Ishëm. Pasi qëndroi disa muaj në burg, ai u hetua me masë sigurie “detyrim paraqitje” dhe më vonë çështja e tij u pushua. Më pas u emërua drejtor në Bashkinë e Durrësit, post të cilin e mbajti deri më datë 10 korrik 2025, kur dha dorëheqjen e kërkuar po nga Edi Rama.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.