Nuk jemi të sigurt nëse Belinda Balluku i lan vetë rrobat në lavatriçe, apo ka të punësuar që ia bëjnë këtë punë. Por jemi të sigurt që ministrja e Energjisë ka gjetur zgjidhjen se si të kursehet energjia: që shqiptarët t’i lajnë rrobat me 30 gradë, ose më e mira fare...të mos i lajnë hiç.
Kjo është këshilla që Balluku ka shpërndarë përmes rrjeteve sociale, duke u kërkuar qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, si kusur për keqmenaxhimin e Kaskadës së Drinit, sipas një investigimi të fundit të kryer nga gazetarët.
Për kursim ka thirrje e propozime kudo në Evropë, si reagim ndaj rritjes së çmimeve të energjisë. Por, në Itali si shembull, është propozuar java mësimore në shkolla jo me 5, por me katër ditë, e po ashtu edhe ditët e punës në administratë ka një propozim për shkurtim.
Në Gjermani, një studim nxorri në pah se gjermanët po lahen më rrallë për të kursyer energji, pa pasur nevojë që t’u bëhet thirrje se me sa gradë të lajnë rrobat, apo sa herë të lahen vetë.
Për të mos shkuar te vendet e BE, vendet e rajonit kanë bërë thirrje për kursim, kanë nisur edhe kufizimet e energjisë elektrike, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por vështirë se ka dalë ministri i Energjitikës t’u tregojë qytetarëve me sa gradë të lajnë rrobat.
Thjesht nuk mund t’i thuash një mekaniku, punonjësi në ndërtim, apo shqiptarëve të tjerë që nuk kanë fatin që të punojnë nga rehatia e zyrës me kondicioner ndezur si Belinda Balluku, që të heqin njollat e punës së përditshme të tyre me 30 gradë.
Ky udhëzim kursimi, në radhë të parë duhet të burojë nga vetë Qeveria, ku Balluku është zëvendëse, duke nisur së pari nga kostot e tenderave të rrugëve, apo edhe mirëmenaxhimi i Kaskadës së Drinit.
Sepse, me këtë ritëm këshillash, do të vijë koha kur ministrja Balluku mund të na sugjerojë që të lahemi me rrallë, apo që në shtëpi të qëndrojmë me dritat e telefonave ndezur.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.