Belind Këlliçi kërkon aleancën e Arben Ahmetajt

12 December 2022, 17:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belind Këlliçi kërkon aleancën e Arben Ahmetajt
Belind Këlliçi dhe Arben Ahmetaj

Shënim: Në përpjekje për t’u hequr si politikani ndryshe, si njeriu që nuk fshihet pas fjalëve të bukura dhe të përzgjedhura me kujdes, Belind Këlliçi ka shënuar një autogol në intervistën e fundit televizive.

Kandidati i zyrtarizuar i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës në primare pa garë dhe në balotazh pa rival përpiqet që të tregojë antimodelin e politikanit, por çuditërisht justifikon Arben Ahmetajn dhe pushimet e tij luksoze në hotele me pesë yje të paguara nga Klodian Zoto.

Sipas Këlliçit, Ahmetaj nuk duhet çuar para drejtësisë vetëm për faturat e qëndrimit në hotelet luksoze të Europës, por edhe si përfituesi më i madh në çështjen e inceneratorëve.

Relativizimi i skandalit të faturave përmes kësaj deklarate dhe shitja, sikur Ahmetaj është pjesë e një loje më të madhe, që shkon deri te Rama është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Arben Ahmetajt në këto ditë, kur mediat ziejnë nga lajmet se si SPAK fshehu provat që e lidhnin drejtpërdrejt me dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Të paktë mund të jenë ata që të gjejnë guximin për të bërë një deklaratë të tillë këto ditë dhe njëri prej tyre është Belind Këlliçi. Deklarata nuk është më shumë nga padija, as lapsus. Këlliçi, për të cilin zërat e ‘flirtimit elektoral’ me Belinda Ballukun në zonën e Kombinatit në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar nuk janë shuar ende, ndoshta shpreson në pafajësinë e Arben Ahmetajt për ta pasur aleat të padeklaruar në zgjedhjet e radhës për Bashkinë e Tiranës.

Ky është halli i vërtetë i Belind Këlliçit, hall që e shpreh edhe mes rreshtave të tjerë në të njëjtën intervistë, ku pyetet për Arben Ahmetajn dhe flet për Erion Veliajn. Populli thotë se gjuha shkon ku dhemb dhëmbi dhe në këtë rast, Belind Këlliçi ka nisur fushatën elektorale për Tiranën me përpjekjen më të gabuar të mundshme; atë për të bërë aleancë me Arben Ahmetajn.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video