Cilat projektligje kaluan dhe u rrëzuan të enjten në Kuvendin e Shqipërisë?

2026-03-06 09:40:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi këtë të enjte seancën plenare të radhës, ku u diskutuan dhe u votuan disa projektligje dhe projektvendime të rëndësishme.

Në total, deputetët miratuan katër projektligje, ndërsa dy të tjerë nuk morën mbështetjen e shumicës dhe u rrëzuan në votim.

Një nga projektligjet e miratuara ishte ai për trajtimin e barabartë të mësuesve, i cili u votua me 81 vota pro.

Me të njëjtin numër votash, 81 pro dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim, u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main, për programin ‘Infrastruktura Bashkiake V – faza II’”.

Gjithashtu, deputetët miratuan me 81 vota pro projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, si dhe projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.

Ndërkohë, dy projektligje nuk morën mbështetjen e shumicës parlamentare dhe u rrëzuan. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’” u rrëzua me 79 vota kundër. Po ashtu, u rrëzua edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, ‘Për financat e vetëqeverisjes vendore’”, i cili mori 78 vota kundër.


Video