
Elon Musk ka vendosur kufizime në rrjetin satelitor ushtarak Starshield në Ukrainë, duke bërë që disa dronë të Kievit të dalin jashtë funksionit, sipas një raportimi të Wall Street Journal.
Gazeta amerikane, e cila citon zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe persona në dijeni të çështjes, raporton se miliarderi ka kufizuar shpejtësinë me të cilën pajisjet ukrainase mund të lidhen me rrjetin e kompanisë së tij, SpaceX.
Këto kufizime kanë prekur përdorimin e disa dronëve ukrainas, ndërsa Kievi kishte raportuar javën e kaluar probleme me lidhjen në sistemin satelitor, të rëndësishëm për komunikimet dhe operacionet ushtarake kundër forcave ruse. Raportimi vjen ndërkohë që Musk ka deklaruar se përgjegjësia për çdo kufizim në Starshield i takon qeverisë amerikane dhe se vendimi përfundimtar merret nga presidenti Donald Trump.
“Sistemet Starshield janë në pronësi dhe kontrollohen nga qeveria amerikane. Çdo kufizim në gjerësinë e brezit ose përdorim vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së”, shkroi Musk në një postim.
Megjithatë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka mohuar që Pentagoni të ketë dhënë urdhër për ndryshime në funksionimin e rrjetit. “Asgjë nuk ka ndryshuar nga ana jonë. Ne nuk kemi lëshuar ndonjë direktivë apo diçka të tillë”, deklaroi ai. Edhe presidenti Trump ka mohuar përfshirjen në vendosjen e kufizimeve, duke sugjeruar se nisma ka ardhur nga vetë Musk.
“Nuk isha unë dhe besoj se ishte Eloni”, tha Trump. Ukraina përdor Starshield për komunikime në fushën e betejës, sulme me rreze të mesme ndaj territoreve nën kontrollin rus dhe përgjimin e dronëve. Ky shërbim është projektuar posaçërisht për përdorim ushtarak. Krahas tij, Kievi përdor edhe rrjetin satelitor civil Starlink, i cili operohet gjithashtu nga SpaceX.