TENDERI PA GARË/ Policia 2.2 milionë euro për mjete me qira, një makinë do paguhet 30 mijë euro

2023-02-27 21:48:34Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Shtetit do të ketë një flotë të re me 67 makina, por kjo do të ketë një kosto në buxhetin e këtij institucioni prej 2.2 milion eurosh.

Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se në fund të 4 viteve automjetet nuk do vijojnë të jenë në flotën e forcave të rendit por do i kthehen koncesionarit.

Me një matematikë të thjeshtë, duke marrë shumën totale që ka kërkuar operatori ekonomik, rezulton se Policia do të paguaj rreth 30 mijë euro për një makinë të vetme, për periudhën 4 vjeçarë që do e mbajë në dispozicion, ndërsa pas përfundtimit të kontratës do i dorëzojë.

Por me një hulumtim të thjeshtë të tregut të makinave, kjo shumë i korrespondon vlerës totale të blerjes të një automjeti të ri ‘’Hyundai’’ që zakonisht përdor policia e shtetit.

Sipas tenderit të hapur më 24 tetor 2022, këto makina do të jenë me lëndë djegëse, ndërsa lëvrimi i mjeteve duhet të bëhet brenda 150 ditëve pas lidhjes së kontratës. Fondi limit i këtij tenderimi është (241 milion,942 mije, 896), pa TVSH ose thënë ndryshe rreth 2.2 milion euro.

Në këtë procedurë tenderimi duket se ka mungesë konkurrence pasi kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë ekonomik të bashkuar në një të vetëm , “ANTIGONE RENTALS’’ dhe “ALBANIA MOTOR COMPANY”.

Vlera që ata kanë paraqitur si kërkesë, ka qenë shumë e përafërt me fondin limit, pra 234,607,200 (dyqind e tridhjetë e katër milion e gjashtëqind e shtatë mijë e dyqind) pa tvsh.

Duke iu referuar procedurës oferta e dy operatorëve ekonomik të bashkuar është identifikuar si Oferta e suksesshme, duke u shpallur fitues.

Video