Mbetjet e rrezikshme të

2026-02-03 16:09:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mbetjet e rrezikshme të

Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie në lidhje me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë “Kurum”, të cilat janë vendosur në një zonë nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK, në afërsi të EcoParkut në Porto Romano.

Masat e sigurisë janë firmosur për personat e dyshuar për përfshirje në këtë çështje, mes të cilëve janë edhe drejtues të “Kurum”.

Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.

Arrest shtëpie është përcaktuar për Arta Dollanin, ish-drejtoreshë e AKM.

Po ashtu, masa sigurie janë lëshuar edhe për biznesmenë dhe zyrtarë të AKM dhe doganave.

Kujtojmë se anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor.

Udhëtimi i 102 kontenierëve i cili kishte për destinacion Tajlandën ka ngjallur shqetësime prej muajit gusht 2025, kur organizata mjedisore “Basel Action Netëork”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

Prokuroria e Durrësit nisi atëherë një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”. Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.


Video