Detaje nga zhdukja “El Padrinos” së Vlorës? Dyshohet se është marr peng së bashku me një vajzë të njohur të showbizit!

10 October 2026, 12:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Detaje nga zhdukja “El Padrinos” së Vlorës? Dyshohet se
Inez Hajrulla

Inez Hajrulla, person i shpallur në kërkim nga SPAK, mund të jetë rrëmbyer nga persona të lidhur me një grup kundërshtar.

Hajrulla dyshohet se ndodhej në një hotel së bashku me një vajzë që përflitet se i përket showbiz-it, në momentin kur humbën kontaktet me ta.

Ndërkohë, po mblidhen pamje nga kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e tyre.

Media VNA shkruan se bëhet fjalë për një pengmarrje të mundshme, ndërsa dyshimet e para lidhen me persona të grupit kundërshtar me të cilin Hajrulla ka pasur konflikte të mëparshme.

Informacioni është në fazë verifikimi dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit deri në publikimin e këtij raportimi. Nuk dihet gjithashtu nëse strukturat policore e kanë të regjistruar zyrtarisht një denoncim për zhdukjen e tij apo nëse kanë nisur kërkimet në lidhje me këtë informacion.

Hajrulla është një emër i njohur për autoritetet në Vlorë dhe aktualisht ndodhet në kërkim pas operacionit të SPAK kundër një grupi kriminal, ku ndaj tij janë ngritur dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale.

Në mars 2026, SPAK zhvilloi një operacion në Vlorë dhe Hajrulla ishte një prej personave për të cilët u lëshuan masa arresti, por ai nuk u kap.

Si u kthye Inez Hajrulla nga “Ini i Çones” në “El Padrinon” e Vlorës pas vrasjes së "Edison Faqedjegurit"!

Kur emra të rëndësishëm të botës së krimit “bien”, disa të tjerët ngrihet.

Vëmendja shkon tek ata që zunë vendin e atyre, që në ndonjë rast janë vrarë e në raste të tjera janë arrestuar.

E me gjithë idenë se pas “zhdukjes” së atyre që njiheshin, aktiviteti kriminal mund të ngadalësohet, në fakt shpesh ndodh që të bëhet më i zgjuar e në ndonjë rast edhe më i egër.

Bota e re e nëndheshme, në dukje më e qetë dhe e decentralizuar, projektohet në atë formë që të mos bjerë kur një njeri bie.

E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe në Vlorë. Një vend që për vite me radhë pati një nivel të lartë kriminaliteti, vitet e fundit duket sikur ka rënë në qetësi.

Ndërsa policia rrëzoi lojtarët më të zhurmshëm e disa të tjerë u vranë, ata më të “qetët” u ngritën.

Në aktivitetin e sotme të drogës, pushteti nuk bërtet, por pëshpërit nga pas dyerve të zyrave, nëpër dhomat e mbledhjeve, përmes kompanive fiktive dhe mesazheve të koduara.

Kanë ikur bosët e drogës që nuk hezitonin të shfaqnin jetën e tyre luksoze. Brezi i ri nuk duan të ekspozohen. Ata nuk duan famë, duan kontroll.

Në Dubai, shumë personazhe të botës së krimit që ende nuk kanë dalë në skenë, shndërrojnë paratë e pista në luks të ligjshëm.

E në ndonjë rast, kur interesat prishen, apo konkurrenca në Shqipëri u prish disi reputacionin e fshehtë, nga atje ku ndodhen organizojnë gjithçka.

Por duke përdorur lojtarë të tjerë, pa dalë vetë në skenë në asnjë rast. Në dukje janë grupe e organizata  kriminale pa emër, flamur apo fytyrë, që përdorin korniza ligjore për të maskuar pasuritë e paligjshme.

Duket se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitit 2023 në Vlorë, kur një personazh që i kishte shpëtuar dy atentateve të mëparshme, arriti t’i shpëtojë dhe një të treti. Ky ishte Inez Hajrulla. Ai ka qenë lidhje shoqërore e Edison Harizaj, i konsideruar si “Il padrino”.

Harizaj, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës, u ekzekutua në Durrës në nëntor të vitit 2018. 

Ai ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet. Veç të tjerave Harizaj kishte një aleancë edhe me grupin e Selenicës, konkretisht me Ferdinand Llanajn. 

Po ashtu, njihej edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. 

Edison Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”. Ndërsa pas vrasjes së tij, duket se ishte Inez Hajrulla, njeriu i tij më i afërt, që do të niste planet për hakmarrje.

Madje dyshohet se është përfshirë edhe në aktivitetin e tij, edhe pasi Harizaj u ekzekutua. Më datë 27 nëntor të vitit 2017, në rrugën “Sulejman Delvina”, në Vlorë, ndodhi edhe atentati i parë ndaj tij. Hajrulla u tentua të eliminohej me eksploziv, që ishte vendosur në makinën “Jeep”, me të cilin ai udhëtonte. Pas shpërthimit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, Policia gjeti në makinë edhe një pistoletë që ai e mbante pa leje.

Dy vite pas këtij atentati, ai u kthye sërish në objekt të një atentati, kësaj here më armë zjarri. Ai u qëllua në Maj të vitit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, teksa ishte ulur në një lokal. Autorët e qëlluan nga një automjet në lëvizje.

Hajrulla i shpëtoi edhe këtij atentati, ku u plagos gabimisht një person që po pinte kafe në të njëjtin lokal. Makina e atentatorëve u gjet e djegur më pas në fshatin Babicë e Vogël.

Policia pati dyshime në atë kohë se ngjarja mund të ishte porositur nga Bernard Sinomataj, për shkak të përplasjeve që ata kishin. Por në gusht të vitit 2023, Policia e Vlorës arrestoi Amarildo Nikollin, nga Shkodra, për të cilin pati dyshime se ishte paguar për të qëlluar Inez Hajrullën.

Nikolli u arrestua kur po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.

Fillimisht çështja ndaj Amarildo Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”. Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria e Vlorës shpalli moskompetencë dhe dosja e tij i kaloi për hetime Prokurorisë së Posaçme.

SPAK nisi hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Nikolli ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorët e SPAK, duke treguar sipas tij emrat e disa personazheve të botës së Krimit në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Personin që e kishte porositur për të kryer vrasje dhe ata që e kishin ndihmuar. 

Ndërsa se për llogari të kujt do të kryhej vrasja, ai nuk ka qenë në gjendje ta tregojë. Por pas dëshmisë së tij del në skenë Dubai. 

Emri i tij është lidhur ndër vite edhe me disa atentate të mbetura në tentativë ndaj tij, ndërsa përplasjet mes grupeve rivale në Vlorë kanë qenë objekt i hetimeve të ndryshme. 


Video