
Qarkullimi i automjeteve në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në segmentin nga Mbikalimi i Kamzës deri te Mbikalimi i Kasharit, do të bllokohet sonte në të dyja senset e lëvizjes.
Bllokimi do të nisë në orën 22:00 të kësaj të enjteje, 19 nëntor, dhe do të zgjasë deri në orën 05:00 të mëngjesit të së premtes.
Shkak janë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit, në kuadër të fazës së tretë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërprerja e qarkullimit do të prekë rrugën dytësore në krahun e djathtë të segmentit Kamëz-Kashar, ndërsa në zonën ku po kryhen punimet do të vendoset sinjalistikë e përkohshme për orientimin e drejtuesve të mjeteve.
Shoferëve që do të udhëtojnë gjatë këtyre orëve u kërkohet të planifikojnë paraprakisht rrugën që do të ndjekin dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve që do të menaxhojnë trafikun.