“Vend me probleme”, DASH publikon raportin për Klimën e Biznesit në Shqipëri: Pastrim parash, korrupsion në gjyqësor dhe qeveri

27 Shtator 2025, 22:13Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit, ka publikuar ditën e sotme raportin për Klimën e Biznesit në Shqipëri, për vitin 2025.

Në raport, theksohet se administrata shqiptare vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme, ndërsa ka shqetësime të vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka shumë potencial për të afruar investimet e huaja, duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, agrikulturën, vaj dhe minierat, si dhe TIK-u.

Megjithatë, raporti nxjerr në pah një problem të theksuar: informaliteti i lartë në sektorin e biznesit, i cili po dëmton ndjeshëm konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pavarësisht qëndrueshmërisë dhe rritjes së vazhdueshme që ka treguar ekonomia shqiptare në vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i saj mbetet i brishtë për shkak të korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së shtrembëruar, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit, produktivitetit të ulët dhe një sektori të madh informal”, thuhet në raport.

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka tërhequr nivele të larta të investime direkte të huaja. Ajo se çfarë i mungon Shqipërisë, sipas raportit, është një mekanizëm për shqyrtimin e këtyre investimeve.

Por cilët janë investitorët e huaj më të lartë? Sipas raportit, lista kryesohet nga Holanda, Zvicra, Kanadaja, Italia, Turqia dhe Austria.

Sakaq, investimet e huaja nga Shtetet e Bashkuara zënë një pjesë të vogël, por që janë në rritje.

“Vend i vështirë për të bërë biznes”

Rezultati i Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International u përmirësua nga 37 në 42 nga 100 në vitin 2024. Megjithatë, investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin sfidat e vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri për shkak të:

-korrupsionit në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike

-konkurrencës së padrejtë dhe të shtrembëruar

-një ekonomi e madhe informale

-pastrimit të parave

-ndryshime të shpeshta në legjislacionin fiskal

-të drejtave të pronësisë

-zbatimit të dobët të kontratave.

Komuniteti i biznesit raporton për DASH-in se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objektiva të zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.

Problemet me pronësinë

Identifikimi i pronësisë është një problem i hershëm në Shqipëri që e bën të vështirë kthimin e pronës së shpronësuar, shkruan DASH-i në raport.

“Procesi i kthimit dhe kompensimit filloi në vitin 1993, por ka qenë i ngadaltë dhe i dëmtuar nga korrupsioni. Shumë qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare janë përfshirë në mosmarrëveshje afatgjata për kthimin e pronës. Çështjet gjyqësore vazhdojnë me vite pa një vendim përfundimtar, duke bërë që shumë prej tyre t’i referojnë çështjet e tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, Francë. Një numër i konsiderueshëm aplikimesh janë në pritje për shqyrtim para GJEDNJ-së. Edhe pas zgjidhjes në Strasburg, zbatimi mbetet i ngadaltë“, shqyrton raporti, duke vënë kështu në theks problemet ligjore për këtë çështje në vendin tonë.

Korrupsioni në vazhdimësi

Sipas raporti, Shqipëria ka një kuadër të shëndoshë ligjor për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar konfliktin e interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, korrupsioni vazhdon të minojë sundimin e ligjit, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe ta pengojë Shqipërinë të arrijë potencialin e saj të plotë. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin dhe çështjet e lidhura me të si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri, duke përfshirë:

-korrupsionin në gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media

-mungesën e transparencës

-mungesën e konkurrencës

-një ekonomi të madhe informale

-zbatimin e dobët të kontratave.

Pavarësisht këtyre, Shqipëria ka bërë përparim në fushën e konfiskimit të pasurisë, por është i nevojshëm vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përparimi i mëtejshëm nga këto struktura të specializuara kundër korrupsionit dhe një rekord i vazhdueshëm dënimesh për korrupsion të nivelit të lartë do të nxisnin investimet e huaja dhe vendase dhe do t’i mundësonin Shqipërisë të konkurronte më me sukses në ekonominë globale, cilësohet në raport.


Video