Shtrenjtohen apartamentet, BSH: Për 6 muaj, çmimet janë rritur me mbi 41 për qind

24 Shtator 2025, 14:14Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tiranë

Apartamentet në Shqipëri janë shtrenjtuar ndjeshëm edhe gjatë këtij viti.

Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme, në periudhën janar-qershor 2025 çmimet e apartamenteve u rritën mesatarisht me 41.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në kryeqytet, rritja ka qenë më e moderuar, duke shënuar një rritje prej 32%, ndërsa çmimet më të larta janë regjistruar përgjatë zonave bregdetare, të cilat sipas raportit kanë kaluar edhe nivelin e Tiranës.

Megjithëse sipërfaqja e ndërtimit ka pësuar një rënie të lehtë, kërkesa për banesa ka mbetur e qëndrueshme.

Banka e Shqipërisë thekson se numri i pronave të pashitura ka rënë ndjeshëm, por koha mesatare e shitjes është zgjatur për shkak të zhvillimeve në treg.

Burimi kryesor i financimit për blerjen e apartamenteve vijojnë të mbeten kreditë bankare.

Ndërkohë, vitet e fundit një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhet nga të huajt dhe diaspora shqiptare.


Video