Miti ekonomik, pse turizmi nuk e pasuron dot një vend!

22 Shtator 2025, 14:54Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Europës Jugore dhe Mesdheut turizmi

Në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të Europës Jugore dhe Mesdheut turizmi pompohet si industria e rëndë e kohëve modern, si një makineri e fuqishme e zhvillimit ekonomik.

Por, Marko Jukiç, ekonomist dhe analist i zëshëm i agjencisë gjermane, ‘Bismarck analysis’ në një studim të publikuar kohët e fundit thotë se të besosh se vetëm turizmi do të të sjellë rritje ekonomike dhe të mirëqënies së një vendi të caktuar është një iluzion i rrezikshë.

‘Historia na tregon se asnjë vend nuk është bërë i pasur prej turizmit dhe asnjë vend nuk ka për t’u bërë kurrë i pasur nga turizmi”, thotë Jukiç.

Bindjen e tij për këtë, ekonomisti i ‘Bismarck Analysis’ e bazon te vrojtimi i të ardhurave që kanë siguruar ndër vite vende si Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Portugalia dhe Spanja.

‘Disa prej këtyre vendeve janë të varura nga turizmi më shumë se sa Dubai nga nafta’, deklaron Jokiç, duke e konsideruar këtë varësi si të gabuar.

Sipas tij, nëse turizmi do të sillte zhvillim ekonomik aq sa reklamohet se sjell, atëherë Greqia sot do të ishte më e zhvilluar se Zvicra.

Si shembuj sjell edhe vende të tjera jashtë Europës, si Maldivet, Balin, Xhamajkën, apo Tajlandën. Jukiç thotë se Monako dhe Andorra, dy vende të vogla me turizëm elitar bëjnë përjashtim jo se turizmi i ka zhvilluar, por prej sistemit tatimor special dhe kushteve financiare të favorshme, me taksa të ulëta që mbështesin popullsitë e vogla që kanë.

Jukiç e përshkruan turizmin masiv si një fenomen që i shndërron kombet në pronarë të paaftë për të kryer ndonjë profesion dhe shërbëtorë. Pronarët janë ata që përfitojnë më së shumti nga turizmi masiv, ndërsa ata që punojnë te shërbimet në këtë sektor marrin mbrapsht vetëm rrogën e tyre, janë të pasigurt për vendin e punës.

“Turizmi kërkon shumë punë dhe jep pak, ose aspak prodhim në ekonomi. Kërkon burime të mëdha njerëzore, por shpërblen vetëm një pjesë të vogël të atyre që angazhohen në këtë sektor”, analizon ai.

Jukiç vlerëson se duke u përqëndruar masivisht te turizmi, shumë vende të Europës Jugore kanë lënë pas dore sektorët e tjerë të ekonomisë, si industrinë dhe bujqësinë. Ai thotë se një vend pa ekonomi prodhuese më shumë humbet se sa fiton nga turizmi, pasi të ardhurat që siguron nga vizitorët dalin sërish jashtë ekonomisë së atij vendi për mallrat që importohen.

Për të ilustruar idenë e Marko Jukiç, le të marrim rastin e Shqipërisë. Qeveria vlerëson se përgjatë vitit të kaluar turistët sollën në vendin tonë 5 miliardë euro, ndërsa vendi importoi gjatë së njëjtës periudhë mbi 1 miliard euro vetëm ushqime dhe në total mbi 9 miliardë euro.

Të dhënat zyrtare po nga viti 2024, kur Shqipëria numëroi edhe numër rekord vizitorësh me mbi 12 milionë tregojnë se turizmi nuk ka ndihmuar në uljen e deficitit tregtar, që po në këtë periudhë u përkeqësua me gati 21 për qind, duke arritur në 5.2 miliardë euro.


Video