Njeriu më i pasur i Europës kundër propozimit për tatimin mbi pasurinë: Do të shkatërronte ekonominë franceze

21 Shtator 2025, 21:54Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bernard Arnault

Bernard Arnault, njeriu më i pasur i Europës dhe magnati i mallrave luksoze, paralajmëron se një tatim mbi pasurinë që mund t’i kushtojë më shumë se 1 miliard euro do të ishte fatal për ekonominë e Francës.

Themeluesi francez i LVMH Mowt Hennessy Louis Vuitton tha për Sunday Times se thirrjet për një tatim 2% mbi të gjitha asetet “synojnë të shkatërrojnë ekonominë liberale, e vetmja që funksionon për të mirën e të gjithëve”.

Ideja e një takse mbi pasurinë ka fituar terren në Francë për shkak të krizës politike dhe përpjekjeve të qeverisë për të zbatuar masa shtrënguese të pakëndshme. Propozimi i një takse 2% mbi pasuritë mbi 100 milion euro është bërë nga ekonomisti Gabriel Zucman, i cili është bërë një emër i njohur në Francë.

Zucman argumenton se tatimi, i quajtur ndryshe “tatimi Zucman”, mund t’i ndihmojë Francës me buxhetin e ngushtuar. Presidenti Emmanuel Macron emëroi këtë muaj kryeministrin e ri, Sébastien Lecornu, pasi François Bayrou nuk arriti të sigurojë mbështetje për një buxhet shtrëngues.

Arnault, më parë njeriu më i pasur në botë, tha se një tatim 2% mbi pasurinë do të ishte një “sulm, fatal për ekonominë tonë”. Ai shtoi se është “sigurisht tatimpaguesi më i madh individual dhe një nga tatimpaguesit më të mëdhenj profesionalë përmes kompanive që drejtoj” në Francë.

Pasuria e tij neto ishte 169 miliardë dollarë (125 miliardë paund) të premten, kryesisht për shkak të 48% të aksioneve në LVMH. Përmes zgjerimeve në biznese të ndryshme luksoze si Bulgari, Tiffany & Co, Christian Dior, Celine dhe marka të tjera, Arnault ka ndërtuar një pasuri kolosale.

Në vitin 2012, ai shkaktoi debat kombëtar në Francë për taksat kur kërkoi shtetësinë belge, por e tërhoqi aplikimin në 2013, duke e konsideruar këtë “një shenjë lidhjeje me Francën dhe besimin te e ardhmja e saj”.

Sipas Zucman, tatimi mbi pasurinë mund të sjellë deri në 20 miliardë euro, por ekonomistë të tjerë paralajmërojnë se nëse të pasurit më të mëdhenj largohen nga Franca, të ardhurat mund të jenë vetëm 5 miliardë euro.

“Ky nuk është debat teknik apo ekonomik, por një dëshirë e qartë për të shkatërruar ekonominë franceze,” tha Arnault. “Nuk mund të besoj se forcat politike që qeverisin apo kanë qeverisur vendin do t’i japin besueshmëri këtij sulmi, që është fatal për ekonominë tonë.”


Video