
Bashkia e Tiranës parashikon që të ketë në dispozicion një buxhet prej 33 miliardë lekësh (rreth 300 milionë euro) në vitin 2024, një shumë që është 16% më e lartë sesa pritshmëria e këtij viti. Kjo sipas projektbuxhetit 2024, të bërë publik nga vetë bashkia.
54% të kësaj shume, ose 18.4 miliardë lekë, bashkia do ta sigurojë nga të ardhurat që ajo mbledh nga taksat dhe tarifat, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara (5.2 miliardë lekë) dhe të ardhurat e mbartura (10 miliardë lekë).
Nga taksat e veta, peshën kryesore vijon ta mbajë “Taksa e ndikimit ne infrastrukture nga ndërtimet e reja”, nga e cila Bashkia pritet të mbledhë 6.4 miliardë lekë, ose 14% më shumë se i pritshmi 2023. Shuma që bashkia do të mbledhë nga dhënia e lejeve për ndërtimet e reja është sa 35% e të ardhurve të veta të bashkisë dhe 19% e të ardhurave totale.

Në vitin 2023, bashkia thotë se pret të mbledhë 7 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, nga 5.5 miliardë lekë që ishte plani fillestar. Bashkia thotë se “Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve.
Në krahasim me fusha të tjera të aktivitetit tregtar, sektori i ndërtimit ka vazhduar të jetë një prej shtyllave bazë të zhvillimit ekonomik dhe njëri prej aktiviteteve që sjell më shumë të ardhura”.
Zëri i dytë që do të sjellë më shumë të ardhura është “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme” nga e cila pritet të mblidhen 3.8 miliardë lekë, ose 891 milionë lekë (8 milionë euro) më shumë se pritshmëria 2023, me rritje vjetore 31%.

Sipas relacionit të Bashkisë ky parashikim ka marrë parasysh ndryshimet e çmimeve mesatare të shitjes së banesave sipas VKM-së 457 datë 26.07.2023 dhe mundësinë e vjeljes për më shumë subjekte si ato të biznesit dhe ato familjare. Familjarët pritet të paguajnë 868 milionë lekë, ose 18% më shumë (+156 milionë lekë). Arra më e lartë do të bjerë mbi bizneset, që pritet të paguajnë 2.9 miliardë lekë, me një rritje prej 25%, ose 735 milionë lekë më shumë.
Nga “tarifa e pastrimit” pritet të arkëtohen 2.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel sa pritshmëria e këtij viti.
Zëri i katërt që pritet të sjellë më shumë të ardhura është “Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore”, nga e cila pritet të arkëtohen 926 milionë lekë (8.4 milionë euro), niveli më i lartë që kur filloi zbatimin. Kjo taksë pritet të mblidhet dhe në 2025-n, me 971 milionë lekë, kur dhe mbaron afati i zbatimit të saj. Sipas relacionit të bashkisë, taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë. Në fillim të vitit 2023 arkëtimet nga kjo taksë u reduktuan nga miratimi i kësaj takse për një periudhe të re 3 vjeçare dhe limitimi i vlerës së saj në masën 35% të detyrimit të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt.

Niveli i pritshëm i realizimit për vitin 2023 do të jetë mbi vlerën e parashikuar për subjektet “Familjare” duke marrë parasysh hyrjen në fuqi të VKM-së së re në datën 28.07.2023 dhe aplikimit të ndryshimeve të çmimeve të referencës në faturimet e muajit gusht 2023 për taksën e ndërtesës dhe respektivisht dhe për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Për subjektet e biznesit ky ndryshim nuk do të ndikojë vlerën e pritshme të realizimit për vitin 2023 dhe efekti për periudhën 5 mujore do të vihet re në vitin në vazhdim bashkë me parashikimin e vitit 2024. Gjithsesi, ndryshimi i çmimeve të referencës për apartamentet e banimit dhe si rrjedhojë çmimet referuese për strukturat që përdoren për qëllime biznesi dhe parashikimet për taksën e ndërtesës për këto subjekte do të shërbejnë si kufi të sipërm të parashikimeve për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, sqaron bashkia.
Për të parkuar, një mision që sa vjen e bëhet më i vështirë dhe më i shtrenjtë në kryeqytet, Bashkia pritet të mbledhë 623 milionë lekë, ose gati 6 milionë euro, rreth 3.5% më shumë në krahasim me të pritshmin 2023. Sipas Bashkisë, arkëtimet nga tarifa e parkimit kanë shënuar trend rritës që nga fillimi i aplikimit të kësaj tarife me përjashtim të vitit 2020, vit i pandemisë, ku kufizimi i lëvizjes reduktoi dhe parkimin e automjeteve në rrugë e sheshe.

Këto pesë taksa do i sjellin bashkisë gati 80% të të ardhurave të veta, që ajo pritet të mbledhë nga taksat e tarifat.