Të gjitha financimet e BE për Shqipërinë deri në vitin 2027. Për çfarë do të përdoren dhe si do të ndahen në vite?

29 Tetor 2024, 12:47Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga 6 miliardë euro që do t’i shpërndahen vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Planit të Rritjes Ekonomike të Bashkimit Europian, Shqipëria pritet të përfitojë 922 milionë euro në total deri në 2027.

Vendi ynë do të përfitojë rreth 76 milionë euro kredi dhe grante nga Bashkimi Europian deri në fund të këtij viti, ndërkohë që përgjatë vitit të ardhshëm financimi parashikohet të arrijë në 279 milionë euro. Në 2026-ën, Shqipëria do të marrë shumën më të lartë në kredi dhe grante, konkretisht 314 milionë euro, ndërsa në 2027-ën, vetëm 251 milionë euro.

Plani i Rritjes Ekonomike, i cili u miratua në prill të këtij viti përfshinte si parakusht për përfitimin e financimit, përgatitjen e një agjende kombëtare reformash. Agjendat e Reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës, u miratuan zyrtarisht nga Komisioni Europian javën e kaluar, duke i hapur kështu rrugë financimeve të para.

Në Shqipëri, Agjenda e Reformave parashikon masa që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit, kapitalit njerëzor, energjisë dhe tranzicionit të gjelbër, tranzicionin digjital dhe shtetit të së drejtës.

Nga totali prej 6 miliardë eurosh i Planit të Rritjes Ekonomike, 2 miliardë do të jenë grante, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi. Këto kredi dhe grante do të jepen me qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik, nxitjen e investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Po vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sa do të përfitojnë?

Bosnje Hercegovina dhe Serbia janë dy shtetet në rajon që do të përfitojnë më shumë kredi dhe grante nga Plani i Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian. Parashikohet që Serbia të përfitojë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Kosova thuajse 888 milionë euro, ndërsa Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi do t’i jepen përafërsisht 807 milionë dhe 383.5 milionë euro.

Video