Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i ka hapur rrugën licencimit të JET Bank, institucionit që synon të bëhet banka e parë plotësisht digjitale në vend.
Vendimi i sotëm i Këshillit jep miratimin paraprak për licencimin e saj, një hap kyç që i mundëson subjektit të nisë përgatitjet për operimin në tregun bankar shqiptar.
Sipas njoftimit, JET Bank parashikohet të funksionojë si një bankë e ndërtuar mbi teknologji të avancuar dhe me një model tërësisht të digjitalizuar, të fokusuar te thjeshtësia, siguria dhe përvoja e klientit.
Misioni i saj është të sjellë një qasje të re në shërbimet financiare, larg formateve tradicionale dhe me synimin për të modernizuar mënyrën se si qytetarët dhe bizneset ndërveprojnë me bankat.
Procesi i licencimit zhvillohet në dy faza, siç përcakton ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”: miratimi paraprak dhe më pas dhënia e licencës përfundimtare.
Pas marrjes së miratimit paraprak, JET Bank ka afat deri në 12 muaj për të plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore, nga derdhja e kapitalit, te ngritja e infrastrukturës teknike dhe organizative.
JET Bank është subjekti i dytë që merr miratimin paraprak për të hyrë në tregun bankar shqiptar, pas bankës turke Ziraat, që e mori këtë fazë lejeje më herët.