Sektori bankar fshiu 6 miliardë lekë kredi të humbura vitin e kaluar

4 Maj 2023, 13:18Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Banka e Shqipërisë

Sektori bankar fshiu nga bilancet rreth 6 miliardë lekë kredi të humbura vitin e kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fshirjet kanë vazhduar të japin një kontribut domethënës në uljen e raportit të kredive me probleme edhe gjatë vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e kredive të fshira ishin kredi në monedhën euro të mbajtura nga sektori i biznesit. Gjatë periudhës 2015 – 2022, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 80 miliardë lekë kredi të humbura.

Kreditë me probleme vitin e kaluar shënuan nivelet më të ulëta të 13 viteve të fundit, qoftë të shprehura si raport, ashtu edhe në vlerë absolute.

Raporti i kredive me probleme ra në nivelin 5% (nga 5.65% një vit më parë), ndërsa stoku i kredive me probleme ra në 36 miliardë lekë (nga 40 miliardë lekë një vit më parë). Bankat kanë raportuar përmirësim të cilësisë së kredisë kryesisht për kredinë me maturitet afatgjatë, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë.

Në këtë ecuri ka ndikuar kryesisht zvogëlimi i stokut të kredisë në klasat e kredive “nënstandard” dhe “të humbura”. Kjo ecuri është përcaktuar nga fshirjet e kredive të humbura nga bilancet e bankave, shlyerjet e kredive me probleme, si edhe riklasifikimi i kredive me probleme në klasa performuese.

Megjithatë, në krahasim me një vit më parë, flukset e reja të shlyerjeve të kreidve me probleme paraqiten në rënie, ndërsa kalimet e kredisë drejt klasave joperformuese kanë ardhur në rritje. Këta janë sinjale paralajmëruese se raporti i kredive me probleme mund të rritet gjatë këtij viti.

Vlerësimi i cilësisë dhe rrezikut të kredisë mund të plotësohet nëpërmjet analizës së ecurisë së disa treguesve plotësues si norma e prurjeve të kredive me probleme, norma e dështimit dhe norma e kredive me probleme të rikuperuara.

Këta tregues, me përjashtim të normës së dështimit, sugjerojnë se gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme, të cilat pritet të pasqyrohen në treguesit e cilësisë e kredisë. Për tremujorin e fundit të vitit 2022, fluksi i kredive të reja me probleme ishte sa 2.1% e kredive të rregullta, nga 1.8% dhe 1.5% një gjashtëmujor dhe një vit më parë. Ky tregues ka shënuar vlerën maksimale prej 5% gjatë vitit 2019, dhe një rritje të përkohshme deri në nivelin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2021.

Norma e rikuperimit të kredive me probleme ra në 12%, nga 15% një vit më parë. Kjo ecuri tregon një rritje të vështirësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.

Nga ana tjetër, norma e dështimit që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë rezultoi 1%, duke ruajtur nivelin e gjashtë muajve më parë, por duke rënë lehtë nga niveli prej 1.6% i një viti më parë.

Në fakt, të dhënat për dy muajt e parë të vitit 2023 kanë treguar një rritje të lehtë të raportit të kredive me probleme, që kanë arritur në nivelin 5.2%./Monitor

Video