Post-pandemia, si po ndryshon tregu i punës

21 February 2022, 19:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Post-pandemia, si po ndryshon tregu i punës
Foto ilustruese

Në ambientet e një banke në Tiranë radha është e shtuar. Në sportel është vetëm një punonjësve, ndërsa tjetra është bosh. Shefja e degës përpiqet të menaxhojë situatën, duke u justifikuar te klientët me mungesën e punonjësve për shkak se janë të infektuar me Covid-19.

Numri i punonjësve që njoftuan se ishin të sëmurë në dy vitet e fundit arritën nivelin më të lartë në dy dekada, sipas raportimeve të ndryshme të kompanive në vend. Ky fenomen, sigurisht, i atribuohet pandemisë. Kërkesat për leje vinin nga individë qoftë të infektuar vetë, ose ata që kërkonin leje për t’u përkujdesur për të afërm të infektuar.

Ndërsa në botë, mesatarisht 1.5 milionë njerëz në muaj humbin punën për shkak të COVID, në Shqipëri tendenca duket e ngjashme, duke qenë se biznese në vend raportojnë se kanë probleme me stafin gjithnjë e më të papranishëm, duke marrë në konsideratë infektimet e herëpashershme.

“Sigurisht, karantinat dhe sëmundjet për shkak të virusit shkaktuan mungesa në rritje, siç u shndërruan edhe në sfidë për prindërit që punojnë, të cilët e gjetën veten duke luajtur rolin e mësuesit, punonjësit të kujdesit për fëmijët dhe punonjësit”, thotë Erald Pashaj, kreu i EPPC Albania and Kosovo. “Të gjithë këta stresorë ka të ngjarë të shkaktojnë tejlodhje edhe te shumë punonjës, gjë që gjithashtu çon në mungesë”, -shton ai.

Dritan Mezini, kreu i DM Consulting dhe portalit Duapune.com, thotë për “Monitor” që e gjithë situata pandemisë ka ndryshuar thellësisht strukturën e tregut të punësimit në vend.

“Ne kemi vënë re se, në përgjithësi pas 2016-s, kanë qenë kërkesa të përgjithshme për vende pune. Tani kanë ndryshuar kërkesat për vendet e punës në vend. P.sh. Duam një ekonomist, inxhinier, me një specializim të caktuar. Tregu është bërë më i specializuar dhe nevojat e tij janë të orientuara drejt profesioneve me specializim më të ngushtë dhe kjo mundet që të shihet edhe tani aktualisht.

Problemi është që bizneset e presin që ky punonjës, me këtë specializim të caktuar, të vijë nga palë të treta këtu dhe nuk investojnë në mundësinë që punonjësit aktualë t’i japin këtë specializim, sepse mendësia shqiptare sugjeron që punonjësi mund t’i largohet. Hezitojnë për të investuar te punonjësi i vet” – thotë më tej z. Mezini.

Si po ndryshon tregu i punës

Një element që ai konstaton si ndryshim të pas-pandemisë, në mënyrë masive janë kërkesat për punë në distancë. Pandemia, sipas atij, i gjeti kompanitë të papërgatitura për të përballuar një situatë të tillë, që mund ta konsiderojmë emergjente.

“Ajo që u mungoi ishte dixhitalizmi, kompanitë që arritën të përshtateshin me situatën, ishin ato që performuan mirë, ndërsa të tjerat ose shkurtuan punonjës në mënyrë masive, ose dolën nga tregu. Të gjendur në këtë situatë, punonjësit shqiptarë, nga ana tjetër, e ndien veten të ‘braktisur’ dhe kjo akumuloi në vazhdimësi të këtyre viteve një mungesë besueshmërie në të dy anët.

Këtë situatë do ta lidhja fare mirë me mungesat e këtyre viteve për shkak të infektimeve. Kompanitë që u përshtatën dhe që punuan ‘on remote’ gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kanë hasur asnjë vështirësi në lidhje me mosfunksionimin e punës për shkak të një ose disa punonjësve ashtu sikurse edhe çështjes së besueshmërisë së infektimit apo jo.

Në shqiptarët besojmë vetëm atë që na shohin sytë dhe duke qenë një virus që nuk të lejon që të afrohesh, shumë punëmarrës në mentalitetin e tyre të mosbesueshmërisë, nuk e patën të lehtë të konfirmojnë nëse punonjësit e tyre po tregojnë të vërtetën apo jo.

Por, në përfundim të kësaj, mund të them me bindje dhe nga të dhënat e rreth 133 mijë punëkërkuesve që kemi të regjistruar në sistem ndër vite, që kompanitë që kanë arritur të dixhitalizohen dhe që u kanë dhënë mundësi punonjësve që të punojnë ‘on remote’, nuk kanë pasur probleme në raste infektimesh që shpeshta, që kanë ndodhur realisht në këtë periudhë”-thotë z. Mezini.

Tregu aktual i punës në vend, sipas tij, kërkon tre profesione kryesore: ato në fushën e ICT pra të Teknologjisë së Informacionit, marketingu dixhital dhe shitje.

“Grupi i parë i profesioneve duhet të kemi parasysh që kemi një ‘armik’ të jashtëm: është tregu i huaj, i cili në mënyrë të pavarur nga ne, është vazhdimisht në gjueti të talenteve, ndaj dhe ne jemi përballur shumë vitet e fundit me ikjen e trurit.

Dhe ky fenomen është shumë më shqetësues se sa thjesht mungesat në punë për shkak të pandemisë, duke qenë se tregu nuk po prodhon mjaftueshëm profesionistë që të lejojë edhe emigrimin e tyre, pa pasur mungesa të rëndësishme në disa sektorë“ – përfundon z. Mezini./Monitor


Video