Pas një vere nga më të nxehtat e më të thatat, shirat e rrallë por të dendur të vjeshtës po nxisin përmbytje duke rikthyer në kujtesë ankthin e përsëritur të përmbytjeve. Lezha, Dibra, Durrësi dhe Tirana janë katër nga qarqet që rrezikojnë shumë këtë vit. Lumi Ishëm është arsyeja.
Fenomeni përsëritet në të njëjtën sipërfaqe duke prekur mesatarisht një sipërfaqe prej rreth 2000 ha. Vërshimet e lumenjve zgjasin nga një orë deri në më shumë se dy ditë, në varësi të llojit të ngjarjes. Në pjesët e poshtme uji kalon brigjet e lumenjve, duke shkaktuar dëme ekonomike dhe duke kërcënuar popullatën që jeton në fushën e përmbytjeve, kryesisht në Fushë Krujë.
Qeveria planifikon të shpenzojë mbi 18 milionë euro për rehabilitimin e basenit ujor të Ishmit. Pjesa më e madhe e parave, mbi 11 milionë euro pritet të financohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Pjesa tjetër e parave do të dalin nga Bashkia Tiranë dhe institucionet e tjera të pushtetit vendor.
Puna do të përfshijë rehabilitimi e argjinaturave në lumin e Gjolës dhe Ishëm.
Objektivat kryesore janë përmirësimi i kapaciteteve organizative dhe profesionale për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, parandalimi i rreziqeve të reja, reduktimi i atyre ekzistuese si dhe reduktimi i pasojave negative pas një ngjarjeje përmbytjeje, ku qëllimi kryesor është parandalimin dhe reduktimi i pasojave për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik, në zonat respektive.
Rreth 24 milionë euro dëme ekonomike, kryesisht në banesa dhe bujqësi u shkaktuan nga dalja nga shtrati e lumit Ishëm në vitin 2020. Dëme të konsiderueshme pati edhe në rrugë apo ndërtesa tregtare dhe industriale.