Pas shtrenjtimit të produkteve ushqimore të shportës pritet të rritet edhe çmimi i kafesë në bare dhe ushqimit në restorante.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, tha për “Monitor” se pavarësisht rritjes së çmimeve të produkteve bazë. ndryshimi nuk është reflektuar te produktet finale, pasi kostoja është amortizuar nga subjektet e shërbimit.
Jahaj thotë se situata do të jetë e përkohshme dhe çmimet pritet të ndryshojnë edhe në këto struktura.
“Pandryshmëria e çmimeve do të jetë e përkohshme, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes së çmimeve. Edhe kostoja e biznesve informale është amortizuar nga bizneset e licencuara. Pra kjo periudhë nuk do të zgjasë shumë. Çmimi i kafesë do të arrijë 1 euro, ndërsa baret që tregtojnë kafe me çmim 50 lekë, kryesisht të lagjeve, nuk do të arrijnë të mbijetojnë, do të mbyllen”, nënvizon Jahaj.